Dielli lëshon valën magnetike më të madhe të zjarrtë në afro një dekadë
Zyrtare, anulohet Sunny Hill në Prishtinë, shkon në Tiranë
Festivali “Sunny Hill” këtë herë nuk do të mbahet në Prishtinë, por në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Kjo është bërë e ditur nga festivali, përmes një postimi në Facebook. Dukagjin Lipa, babai i pop yllit Dua Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali e ka konfirmuar zhvendosjen në Tiranë.
Këtë gusht (për shkak të vonesave nga autoritetet në sigurimin e licencave të nevojshme për vendndodhjen), jemi të detyruar të shkojmë në Tiranë.
Ai tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Në letrën që ai ua ka dërguar krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë institucionalë, të cilën e ka publikuar në Facebook, thuhet se edhe pse janë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare për dhënien e një hapësirë në shfrytëzim të platformës së festivalit, kjo kohë, sipas tij, ka qenë e pamjaftueshme për institucionet të marrin një vendim përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit përgatitjet për mbajtjen e këtij edicioni.
“Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”.
NJOFTIM ME RËNDËSI: Ne duam të informojmë të gjithë mbajtësit tanë të biletave se biletat e tyre janë të vlefshme për Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edition, ndërsa ata që nuk mund të marrin pjesë në Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat e tyre. (Dritarja e rimbursimit do të hapet nga 1 korriku deri më 15 korrik. Më shumë detaje dhe udhëzime do të jepen në ditët në vijim.)
Lipa tha se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit i festivalit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurosh si dobi direkte për imazhin e shtetit, si dhe ka sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e Prishtinës.
“… mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës”, tha ai.
Komuna ia lë fajin Qeverisë për shvendosjen e festivalit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se fajtor për këtë është qeveria dhe sipas tij zhvendosja e tij do t’i shkaktojë humbje të mëdha Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, tha ai përmes një postimi në Facebook.
Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, tha se duhet të mirëpritet heqja e dorë e Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë.
“Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të tjerë.
Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë.
Ky festival u themelua nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.
Edicioni i tretë i festivalet ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022. Por, tashmë në këto data i njëjti është zhvendosur në kryeqytetin shqiptar.