Superiore për vajza/ “Final 4” nis të premten, duelet dhe oraret
Rama e Abazoviq arrijnë në Ukrainë
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është shoqëruar nga homologu i tij nga Shqipëria, Edi Rama, në një rrugëtim drejt Ukrainës.
Ata kishin pranuar ftesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ftoi Abazoviqin gjatë një bisede telefonike që ta vizitojë Kievin.
Madje Abazoviq vetëm një ditë pas bisedës telefonike me Zelenskyn, konfirmoi ftesën dhe së bashku me Edi Ramën u nisën për në Kiev.
Përmes një postimi në Twitter, Abazoviq bëri të ditur se kanë arritur në Kiev për t’i shprehur mbështetjen qytetarëve ukrainas.
“Kemi arritur me Edi Ramën në Kiev, për t’i ofruar mbështetje qytetarëve sa i përket të drejtës për ta mbrojtur lirinë. Mali i Zi vazhdon ta ndihmojë Ukrainën në momentet e vështira dhe në katastrofën humanitare”, ka shkruar kryeministri i Malit të Zi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kanë udhëtuar të martën drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.
Vizita e tyre atje vjen pas ftesës që ua ka bërë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Për Kiev me ftesë të presidentit Zelensky”, ka shkruar Rama në Facebook.
Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar më 12 qershor se kreu i saj, Abazoviq, ka pranuar ftesën e Zelenskyt.
“Kryeministri Dritan Abazoviq do të dalë me idenë e një vizite të përbashkët të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Kiev, veçanërisht të atyre që janë vende të NATO-s, me qëllim të dërgimit të një mesazhi më të fuqishëm dhe më të bashkuar për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës nga Ballkani Perëndimor”, thuhet në një shkrim të Qeverisë malazeze në Twitter.
Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.
Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.
Edhe Shqipëria, edhe Mali i Zi u janë bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, ashtu si edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë.
Në fillim të qershorit, Abazoviq i ka dërguar një letër mbështetjeje popullit të Ukrainës dhe presidentit Zelensky, ku, ndër të tjera, ka shkruar se “Ukraina po mbron jo vetëm atdheun e saj, por gjithë Evropën, si dhe vlerat demokratike dhe normat e qytetërimit, mbi të cilat mbështetet bota moderne”.