Vetëvendosje fajëson qeverisjen e Përparim Ramës për dështimin e “Sunny Hill”
Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë e kanë fajësuar qeverisjen komunale për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë, duke thënë se ata nuk ishin kundër mbajtjes së festivalit në Prishtinës, por siç janë shprehur ata, kanë kundër procedurave për dhënien e pronës komunale për ‘Sunny Hill SHPK”.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla u shpreh se mos kompletimi i dokumentacionit dhe tendenca për ta hedhur fajin diku tjetër e paraqet më së shumti këtë dështim.
Ai tha se vërejtjet e tyre janë në tri drejtime.
“Çështja e parë ka qenë aspekti procedural, çështja e dytë ka qenë kohëzgjatje e kontratës dhe çështja e tretë ka qenë qasje për festivalet tjera në kontratën që na është dorëzuar. Neve atë ditë është decidivisht e shprehur se festivalet tjera të karakterit të ngjashëm nuk iu lejohet mbajtja e asnjë eventi në atë parcelë”, tha Gëzim Sveçla
Sipas tij, gjendja në menaxhim të komunës së Prishtinës nuk është e mirë, porse siç tha ai, kjo paraqitje dëshmoi se gjendja është katastrofale dhe me këtë u vërejt qartë se fajtorët për dështimin e festivalit “Sunny Hill” ndodhen në këtë objektin prapa.
“Mos kompletimi i dokumentacionit dhe tendenca për ta hedhur fajin diku tjetër e paraqet më së shumti këtë dështim”, tha ai.
Sipas tij, është e padrejtë ajo që po i bëhet rinisë të kryeqytetit po ashtu edhe mënyra se si është vendosur që “Sunny Hill” të bartet në Tiranë, derisaka mundur të ndodhë edhe në Prishtinë.
“Me një kërkesë drejtuar Ministrisë të Shërbimeve Publike për shfrytëzim të përkohshëm kjo gjë do të ishte rregulluar dhe festivali do të ishte mbajtur sikurse viteve të kaluara. Do t’i jepet kohë e mjaftueshme komunës që të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për një zgjidhje afatgjate”, ka thënë ai.