
Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë 19 marrëveshje
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve.
Mbledhja e së hënës shënon takimin e tetë të tillë mes dy qeverive.
Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë.
Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta.
Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve.
Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në nisje të takimit se marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, lehtësojnë jetën e qytetarëve.
“Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë dhe intensiv”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, në takime të tilla në të kaluarën janë nënshkruar 127 marrëveshje kurse janë zbatuar 75 prej tyre.
Megjithatë, Kurti ka përmendur se ekziston nevoja e një harmonizimi e bashkërendimi më të mirë “të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale e po ashtu edhe të politikës së jashtme”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përqenderuar më shumë te rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare.
Ai ka thënë se në shtetin e Shqipërisë janë të regjistruara 1,225 biznese nga Kosova, dhe 1,081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.
“Investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin nëntë milionë euro, kurse vitin e kaluar 139 milionë. Kjo shifër është domethënëse dhe mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme”, ka thënë mes tjerash Rama.
Lehtësimi i qarkullimit
Lehtësimi i qarkullimit ishte në fokus të takimit fundit mes dy vendeve, i cili u mbajt në nëntor të vitit 2021.
Në mesin 13 marrëveshjeve të nënshkruara vitin e kaluar, ishin edhe lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes dy vendeve dhe njohja e diplomave.
Por, marrëveshjet e nënshkruara ndër vite ndërmjet dy vendeve konsiderohen vetëm si marrëveshje në letër, pasi shumë nga to nuk gjejnë zbatim.
Në vitin 2020 u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.
Në mbledhjet e mbajtura deri më tani janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje.
Përgjatë viteve kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
Por, në tetor vitit 2021, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive.
Më shumë se 60 për qind e të anketuarve kishin deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2013 ishin dakorduar për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
“Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy shteteve tona”, thuhej në njoftimin e para nëntë viteve.
Mbledhja e parë mes dy qeverive ishte mbajtur në vitin 2014.