Kosova pritet të marrë mbështetjen e BE-së për liberalizimin e vizave
Republika Post, nga burimet e saj në Bruksel, mëson se BE-ja më në fund po ndryshon qëndrim ndaj vendeve të Ballkanit. Presioni i BE-së mbi Bullgarinë fillimisht, pritet të zbusë qëndrimin e këtij vendi karshi vetos së vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut, me çka do të përfitonte edhe Shqipëria për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Një rol në këtë drejtim, thuhet se ka luajtur edhe presidenti bullgar, Borisov, duke i bërë presione Qeverisë bullgare për reflektim.
Kurse sa i përket Kosovës, ka shumë shtete që kanë lobuar tek Franca që të pajtohet më në fund për të hequr izolimin e vendosur nga qytetarëve të Kosovës. Nëse dikush është meritor në këtë pikë, ka thënë i njëjti burim, ai është kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili ka lobuar për liberalizimin e vizave për Kosovën drejtpërdrejtë te presidenti francez, Emmanuel Macron.
Detajet se si dhe kur do të rrjedh puna deri në marrjen e vendimit, theksohet se do të bëhen të ditura më së largu nesër.
Në Bruksel, po qëndron edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo është pritur sot edhe në Parlamentin Evropian, institucion ky që ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane.
“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane”, ka shkruar Osmani në Facebook.