Kurti ironizon me ‘Kamishin’: Fizioterapist që sjell Projektligj për TRUST-in
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka ironizuar me iniciuesin e Projektligjit për Trustin, Bekim Haxhiu. Kurti ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar që një doktor shkence ka propozuar një gjë të tillë.
Në seancën që po mbahet në Kuvend, Kurti tha se “vetëm një doktoraturë në fizioterapi ta sjellë vetbesimin e nevojshëm që të bësh këso lloj propozimesh në ekonomi dhe në financa të vendit”.
“Unë nuk e kam ditur, s’kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence, nuk kam qenë i njoftuar. Pra, ka PhD, nismëtari i kësaj iniciative ka PhD, ka doktoraturë. Dhe unë besoj që kjo nismë ka ardhur sepse nismëtari ka doktoraturë. Po mos të kishte doktoraturë nuk do ta bënte këtë nismë. Nevojitet doktoratura, nevojitet PhD, për një fizioterapeut që të propozojë diçka kaq të madhe në ekonomi. Nuk ka shpjegim tjetër”, tha Kurti.
Kreu i Ekzekutivit shtoi se është dilentanizëm i jashtëzakonshëm ky propozim i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të Trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili në një prononcim të tij medial, duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të FMN-së ka thënë përafërisht kësisoj: Po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e Fondit…ja pra se kush po merret me financa e me makroekonomi te ne. Është dilentanizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat nuk kemi pse i bartim ne të tjerët, përveç se vetë ai person”, shtoi Kurti.