Çfarë është ‘pornografia frymëzuese’ dhe pse ka rëndësi?
Photo Credits: Psych Central
Imazhet mediatike të personave me aftësi të kufizuara që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme shpesh quhen “pornografi frymëzuese”.
Gjetja e frymëzimit në botën përreth nesh është një pjesë normale e përvojës njerëzore. Ne na pëlqejnë historitë e njerëzve që kapërcejnë pengesat, kalojnë vështirësitë dhe ia dalin në rrethana unike të jashtëzakonshme.
Disa prej këtyre imazheve, shumë të zakonshme në media, përfshijnë persona me aftësi ndryshe. Të gjithë i kemi parë këto histori apo foto me mbishkrime frymëzuese si: Një imazh shumëngjyrësh i një të amputuari që vrapon në një pistë duke cituar, “e vetmja paaftësi në jetë është të mos qenit pozitiv”.
Deri këtu, gjithçka duket mirë, por problemi me këto imazhe buron nga fakti se ato bazohen në idenë se personat me aftësi ndryshe mund të bëjnë disa gjëra “pavarësisht” nga paaftësia e tyre dhe se ata përdoren për të motivuar dhe frymëzuar personat jo me aftësi ndryshe. Komediania australiane dhe aktivistja e të drejtave të njerëzve me aftësi ndryshe, Stella Young, i quajti këto lloje shembujsh si “pornografi frymëzuese”.
“Kur njerëzit thonë se je një frymëzim, ata e thonë si kompliment,” tha ajo në fjalimin e saj në TED Talk 2014. “Na na është shitur kjo gënjeshtër se aftësia e kufizuar të bën të jashtëzakonshëm dhe sinqerisht, jo. Unë dua të jetoj në një botë ku ne nuk kemi pritshmëri aq të ulëta nga njerëzit me aftësi ndryshe sa të përgëzohen që ngrihen nga shtrati dhe thonë emrat e tyre në mëngjes.”
Platformat si Instagram, Twitter dhe TikTok janë rritur, së bashku me sponsorizimet e korporatave për atletët me aftësi të kufizuara, modelet dhe influencuesit. Imazhet e personave me aftësi të kufizuara janë më të zakonshme se kurrë më parë në rrjetet sociale, dhe kjo është fantastike.
Por, duhet të jemi gjithashtu të vetëdijshëm për faktin se shumë marka përdorin njerëzit me aftësi të kufizuara për të promovuar produktet e tyre, dhe kjo është një formë për të përfituar nga situatat e tyre. Megjithëse nuk janë të dëmshme në vetvete, këto imazhe nuk arrijnë të portretizojnë realitetet me të cilat përballen shumë njerëz me aftësi të kufizuara në baza ditore – mungesa e aksesit, më e rëndësishmja prej tyre.
Ndoshta, përtej reklamave të bukura dhe frymëzuese, ka ardhur koha që këtyre njerëzve t’u ofrohet vërtet më shumë përkushtim dhe mbi të gjitha, investim, për t’u lehtësuar jetën.
Burimi: Psychology Today
Source link