“A do të rikthehem në Madrid?”, Davies: Gjithmonë mirënjohës Bayernit
Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Oligarkëve rus ju bllokohen pasuri mbi 30 miliardë dollarë nga SHBA dhe aleatët e saj
Një grup pune ndërkombëtar i krijuar para disa muajsh për të ushtruar presion ndaj Rusisë që t’i japë fund luftës së saj në Ukrainë, ka bllokuar fonde dhe prona me vlerë mbi 30 miliardë dollarë të oligarkëve rusë.
Përveç sekuestrimit të jahteve dhe shtëpive luksoze, grupi i punës, i njohur si REPO (Elitat Ruse, Mbështesit dhe Oligarkët), tha të mërkuren se ka ngrirë rreth 300 miliardë dollarë pasuri të Bankës Qendrore Ruse. Ukraina po i kërkon fondet e ngrira për rindërtimin e rajoneve të shkatërruara nga lufta.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u krijua më 17 mars me qëllim të konfiskimit të pasurive të individëve dhe subjekteve ruse që janë sanksionuar në lidhje me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës që filloi më 24 shkurt. Përveç Shteteve të Bashkuara, anëtarë të këtij grupi janë edhe Australia, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Komisioni Evropian.
Që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj qindra subjekteve dhe individëve të afërt me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas presidentit Erdogan, është e mundur të hapet një korridor për grurin nga Ukraina
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë një bisede me homologun e tij amerikan, Joe Biden, tha se besonte në hapjen e një korridori për eksportin e drithrave ukrainase në tregjet globale gjatë luftës.
“Shpresojmë që kjo politikë e ekuilibrit të çojë në rezultate të mira dhe të mundësojë eksportimin e grurit përmes korridoreve sa më shpejt të jetë e mundur drejt vendeve që aktualisht po përballen me mungesa”,- u shpreh kreu turk.
Përveç përshëndeti përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktin, Biden vlerësoi Erdogan për heqjen dorë nga kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në Nato.
Amazon kufizon të drejtat e komunitetit LGBT në website-in e tyre në Emiratet e Bashkuara
Gjiganti i shitjeve online, Amazon ka kufizuar të drejtat e komunitetit LGBT në website-in e tyre në Emiratet e Bashkuara. Ky vendim thuhet se erdhi pas presionit të vazhdueshëm që kompania merrte nga shteti. Homoseksualiteti është ende i paligjshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe- një prej 69 vendeve të botës ku të qënit gay konsiderohet krim.
Lajmi u bë zyrtar pikërisht në muajin që i dedikohet komunitetit LGBT në të gjithë botës.
“Si kompani, ne jemi pro diversitetit, barazisë dhe besojmë se të drejtat e njerëzve të komunitetit LGBTQ+ duhen mbrojtur. Duke qenë se dyqanet tona operojnë në mbarë botën, duhet gjithashtu të përshtatemi dhe respektojmë ligjet dhe rregulloret lokale të çdo vendi.”- u shprehën përfaqësues të Amazon pas vendimit për t’i kufizuar komunitetit kërkimet apo mundësinë për të blerë në faqe.
Tragjedia ku humbën jetën 53 emigrantë brenda kamionit: Akuzohet shoferi!
Shoferi i kamionit të braktisur në Teksas ku brenda u gjendën pa jetë rreth 53 emigrantë, është akuzuar për kontrabandim.
Ai vetë, është paraqitur si emigrant në një zonë afër kamionit në San Antonio të Teksasit, kur është arrestuar nga policia. Sipas raportimeve të deritanishme, 53 njerëz kanë humbur jetën, disa prej tyre si pasojë e dehidratimit dhe të të nxehtit, pasi kanë qenë të mbyllur brenda kamionit në temperatura të larta dhe pa ujë.
Ai që dyshohet si shoferi i kamionit, thuhet se ka tentuar të prezantohet si “një prej të mbijetuarëve” kur është kapur nga policia. Shoferi dhe i dyshuari tjetër, si një prej bashkëpunëtorëve të tij, mund të përballen me burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje, nëse merret vendimi për t’i dënuar.
Tragjedia e pak ditëve më parë, përbën trafikimin më vdekjeprurës me njerëz në historinë amerikane.
Burimi: BBC, CNN
Source link