Municioni serb në avionin e rrëzuar ukrainas
Fotografitë nga vendi ku u rrëzua avioni ukrainas i mallrave në Greqi, shfaqin minat dhe municion tjetër serb, që gjendej në ngarkesën e këtij avioni. Avioni, që po bartte 11.5 tonë armë serbe, ishte nisur drejt Bangladeshit, por u rrëzua të shtunën mbrëma në Kavalla të Greqisë, duke vrarë tetë anëtarët e ekuipazhit, të cilët ishin ukrainas.
2Avioni që u rrëzua ishte i llojit An-12, që shihet në këtë fotografi të realizuar në prill të vitit 2022. Në bordin e avionit ishin tetë shtetas ukrainas, të cilët vdiqën pas rrëzimit të avionit.
3Kjo fotografi është realizuar më 17 korrik dhe shfaq mortaja (në pjesën e djathtë të fotografisë), por edhe fragmente të kutive me municion. Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, tha më 17 korrik se avioni po transportonte 11.5 tonë armë serbe për në Bangladesh. Ai hodhi poshtë spekulimet se ngarkesa kishte për destinacion Ukrainën.
4Edhe në këtë fotografi nga vendi i rrëzimit të avionit, shfaqen bombola municionesh, përfshirë një që është e hapur (në pjesën e poshtme në anën e majtë të fotografisë) dhe duken edhe bishti i një predhe të mortajës. Zyrtari opozitar serb, Sërxhan Millivojeviq, kërkoi hetim të pavarur për të sqaruar “dyshimet” sa i përket rrëzimit të avionit.
5Një pjesë e avionit të rrëzuar e fotografuar më 17 korrik. Stefanoviq tha se avioni po barte “minahedhës dhe mina” të tjera.
6Ky tub i një mortaje 82 milimetërshe shihet në vendin e rrëzimit të avionit. Videot nga vendi i ngjarjes kanë shfaqur edhe një mortajë të ngjashme, e cila thuhet se është e llojit M67, apo mortajë që përdoret për “ndriçimin e fushëbetejës”, armë që prodhohet në Serbi.
7Persona të veshur me rroba mbrojtëse shihen pranë vendit të rrëzimit të avionit më 17 korrik. Autoriteti i Mbrojtjes Civile të Greqisë udhëzoi banorët e fshatrave përreth që të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mbyllin dritaret, derisa të kryhen hetime në vendin e ngjarjes.
8Njëri prej motorëve të avionit që u fotografua më 17 korrik. Greqia ka nisur një notë proteste më 18 korrik, duke thënë se Beogradi kishte dështuar që ta njoftonte paraprakisht për ngarkesën e “rrezikshme” që po fluturonte mbi territorin grek. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë u tha gazetarëve se fluturimi ishte “në përputhje me rregullat ndërkombëtare”.