“Merre ose lëre”: Macron e Scholz dërgojnë ‘specialët’, Serbia ngadalë po përgatitet për …
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron fillimisht i dërguan një letër shumë sugjeruese Aleksandar Vuçiqit, në të cilën nuk ka shumë mashtrime dhe dredhira diplomatike që të gjithë mund t’i interpretojnë siç e shohin të arsyeshme, dhe më pas njoftuan ardhjen e diplomatëve të tyre me përvojë të “peshave të rënda”, Jens Pletner dhe Emmanuel Bono, si ndihmë për të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak .
Gazeta kroate Jutarnji.hr shkruan se shumë besojnë se ata nuk janë thjesht “ndihmë”, por një dyshe që do të vendosë tonin dhe do ta kryejnë krejt punën. Brukseli dëshiron ta vendosë këtë çështje ad acta dhe më pas t’i përkushtohet në mënyrë të ngjashme Bosnje-Hercegovinës, si pika më shpërthyese në Evropë. Scholz dhe Macron duan “normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” si një nga elementët më të rëndësishëm për sigurinë dhe perspektivën e mëtejshme evropiane të kësaj pjese të Evropës. Në letrën e dërguar nga dyshja më e fortë evropiane Aleksandar Vuçiqit, atij i sugjerohej që të “tregojë vendosmëri maksimale” dhe të jetë “gati për vendime të vështira”, dhe kjo në fakt mund të interpretohet vetëm në një mënyrë – kriza duhet të zgjidhet me njohje të ndërsjellë, ndoshta jo formalisht, por Serbia duhet ta pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.
Jutarnji.hr. Përktheu Dush Gashi.