“Buzëqeshin” Milani dhe Juventusi, Zirkzee kushton më pak seç mendohej
Lajçak: Diskutim i thellë me Kurtin e Vuçiqin
Emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka folur për takimet e sotme në Prishtinë dhe Beograd.
Ai, bashkë me këshilltarët e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, kanë takuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak tha se në takimet e ndara me kryeministrin kosovar dhe presidentin serb kanë pasur diskutime të rëndësishme për gjetjen e opsioneve për ta çuar përpara dialogun.
“Sot, bashkë me këshilltarët e lartë për politikë të jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman kisha diskutime të rëndësishme dhe të thella me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të eksploruar opsionet për progres në dialog. Procesi do të vazhdojë ditët në vijim”, ka shkruar ai në Twitter, pas takimit në kryeqytetin serb.
Diplomati sllovak foli shumë shkurt edhe pas takimit mbi dy orësh në Prishtinë, kurse të dërguarit e Scholz dhe Macron s’u deklaruan fare.
“Mendoj se ju e kuptoni se ne nuk mund të flasim për detaje, sepse të njëjtën bisedë do ta kemi me presidentin Vuçiq në Beograd, prandaj unë do të thosha që ne e përfunduam pjesën e parë të misionit tonë”, theksoi Lajçak.
Kur të dërguarit e Brukselit, Berlinit dhe Parisit u nisën për të kryer pjesën e dytë të misionit në Serbi, Qeveria e Kosovës doli me njoftim.
Aty u tha se Kurti u tha mysafirëve se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve dhe se i njëjti ka qëllimin e ujdisë ligjërisht obliguese me njohje të ndërsjellë në qendër.