Serbia ia dërgon kërkesën KFOR-it për dërgimin e trupave në Kosovë
Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë.
Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.
Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Vuçiq ka sqaruar se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave, “sipas Rezolutës 1244”.
“Është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.
KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës për të komentuar hapin e Serbisë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.