Osmani në Islandë, flet për thellim të raporteve mes dy vendeve
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Ármannsson.
Sipas komunikatës së Presidencës së Kosovës, në takim me Kryetarin e Kuvendit Ármannsson, Presidentja Osmani e ka falënderuar Islandën për mbështetje ndaj Kosovës, duke potencuar rëndësinë që ajo të vazhdojë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë frymë, Presidentja ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit dypalësh përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, në këtë kohë përcaktuese për Evropën”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, Presidentja Osmani dhe Kryetari i Kuvendit Ármannsson kanë biseduar edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar.
“Tutje, Presidentja Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidentja ka thënë se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe avancim të demokracisë, vlerësuar edhe në indekset e fundit ndërkombëtare, ku Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Kryetari i Kuvendit Ármannsson e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Islanda është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca.