Kur është koha më e mirë për të konsumuar mjaltë? Ka një ndryshim nëse e
Borrell pret “qasje konstruktive” për planin evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.
Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve.
“Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter.
Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për një propozim të BE-së për normalizimin e raporteve.
Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të takimit se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.
Sipas tyre, përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022 dhe nuk ka më nevojë të flitet për të.
Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë asociacion në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Kurti thotë se Kosova nuk mund të themelojë asociacion njëetnik; Vuçiq insiston në themelimin e tij.
Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.