Kurti thotë se ka qenë konstruktiv në dialog
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është shprehur optimist për takimin e 18 marsit në Ohër.
Kurti theksoi se nëse marrëveshja deri tani nuk është nënshkruar, nuk është për fajin e tij, por se pala serbe nuk ka qenë e interesuar.
“Jam optimist. Mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje, unë kam ofruar që edhe me 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar. Nëse ka pasur mosukses, asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, u shpreh ai para mediave të martën.
Takimi i ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 18 mars në Ohër, ku do të diskutohet për propozimin evropian. Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri ta nënshkruajë këtë propozim, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka refuzuar atë.