Kur është koha më e mirë për të konsumuar mjaltë? Ka një ndryshim nëse e
Komuna ua rrit pagën 70 euro, “Pastrimi” ndërpret grevën
Nga muaji prill, rreth 500 punëtorëve teknik në KRM “Pastrimi” do u paguhen pagat për 70 euro më shumë. Ky vendim u mor sot pas grevës dyditore të kompanisë pas shprehjes së moskënaqësisë rreth pagave.
Kështu bëri të ditur nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, e cila njoftoi se greva është ndërprerë mbrëmë.
“Zgjidhet ngërçi i mbledhjes së mbeturinave në Kryeqytet derisa vazhdon nevoja për përmirësim të shërbimit Pas dy ditëve intenzive në ndërmjetësim me menaxhmentin ushtrues detyre dhe sindikatën e punëtorëve në KRM Pastrimi, e kemi një zgjidhje të pranuar në tavolinë. Greva e nisur e punëtorëve me kërkesën për rritje të pagës është ndërprerë mbrëmë në turnin e tretë. Sot u vendos që ~500 punëtorë me funksione teknike do të paguhen 70 euro më shumë nga muaji prill”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, kjo zgjidhje nuk e plotëson nevojën e punëtorëve për kompenzim meritor e kushte më të mira të punës, ashtu sikurse nuk e zgjidh problemin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet përgjithmonë.
Sahatçiu bëri të ditur se kanë kërkuar që brenda një afati prej tre muajsh “të pranojmë propozimin me zgjidhje konkrete që rikthen qëndrueshmërinë e munguar në ndërmarrje dhe të sigurohen që rritet mirëqenia e secilit punëtor e secilës punëtore”.
“Për të përshpejtuar procesin e mbledhjes së mbeturinave tashmë të grumbulluara disa ditë, kemi angazhuar ekipe me operatorë privat dhe kemi kërkuar mbështetje me kamionë nga njësitë e tjera të ndërmarrjes duke e rikujtuar që ndërmarrja i mbulon edhe komunat e tjera në rajon të Prishtinës. Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë pa fund të subvensionojë ndërmarrjen dhe të paguajë për shërbimet që nuk i pranon në nivelin e dëshiruar. Gjendja e fundit që vuri në rrezik edhe shëndetin e qytetarëve është e pa pranueshme dhe nuk guxojmë t’a lejojmë të përsëritet më”, ka theksuar nënkryetarja Sahatçiu në Facebook.
Të hënën dhe të martën punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk kanë kryer shërbimet si shenjë proteste për kushtet jo të mira të punës dhe pagave të ulëta.
Kjo ka bërë që kryeqyteti gjatë dy ditëve të jetë i mbushur me mbeturina. Gjendje e njëjtë ka qenë edhe në komunat tjera të rajonit të Prishtinës ku operon kjo kompani.