“Buzëqeshin” Milani dhe Juventusi, Zirkzee kushton më pak seç mendohej
Ja pse Izraeli po përpiqet ta zgjerojë luftën përtej Gazës
Ministria siriane e Mbrojtjes ka konfirmuar se një sulm me raketa nga ana e Izraeliti goditi ndërtesën e konsullatës iraniane në rajonin perëndimor Mezzeh në periferi të Damaskut. Raketat vinin nga drejtimi i Lartësive Golan dhe goditja ndodhi rreth orës 17:00 me orën lokale.
Pavarësisht se sistemet mbrojtëse ajrore siriane neutralizuan disa raketa, të tjera arritën të depërtojnë duke shkaktuar shkatërrimin e plotë të ndërtesës dhe dhjetëra viktima. Ambasadori i Iranit në Siri, Hossein Akbari, denoncoi sulmin, duke përmendur viktimat në mesin e stafit të ambasadës dhe atasheve ushtarakë.
Ai konfirmoi nga 5-7 viktima, përfshirë diplomatë. Më pas, Garda Revolucionare e Iranit njoftoi vdekjen e 7 ushtarakëve të lartë, përfshirë gjeneral brigade Mohammad Reza Zahedi dhe gjeneral Mohammad Hadi Haji-Rahimi. Ministri i Jashtëm sirian Faisal Mekdad e dënoi sulmin si një “sulm të tmerrshëm terrorist”.
Në një bisedë me Mekdadin, Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian e kritikoi sulmin si një shkelje të detyrimeve ndërkombëtare, duke ia atribuar përgjegjësinë regjimit sionist. Incidenti nxjerr në pah tensionet e rritura në rajon dhe kompleksitetin e qëndrueshëm të konfliktit sirian të ndërthurur me rivalitete më të gjera gjeopolitike.
Irani është zotuar të hakmerret. Udhëheqësit në Teheran e cilësuan shenjestrimin e një misioni diplomatik si një akt të paprecedentë dhe premtuan një kundërpërgjigje të ashpër. “Benjamin Netanyahu e ka humbur plotësisht ekuilibrin mendor për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme në Gaza dhe dështimit të tij për të arritur qëllimet e tij sioniste”- thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Ambasadori i Iranit në Siri, Hossein Akbari, tha se përgjigja e Iranit ndaj sulmit do të ishte “në të njëjtën përmasa dhe ashpërsi”. Ai tha se konsullata në kryeqytetin sirian ishte goditur nga gjashtë raketa të lëshuara nga avionët F-35. Trupat ende po identifikoheshin në rrënoja, tha ai.
Akbari, që punonte në ambasadën aty pranë, u zotua se Irani do të vazhdojë të mbështesë palestinezët në Gaza dhe nuk kishte frikë nga qeveria izraelite. Por sulmi përfaqëson një provë për Iranin, që tashmë do të ndiejë nevojën për të reaguar ndërsa mbetet i prirur të shmangë zvarritjen e tij në një konflikt të hapur gjithëpërfshirës me Izraelin.
Izraeli ka kryer sulme të njëpasnjëshme ndaj udhëheqësve ushtarakë iranianë dhe sirianë në Liban dhe Siri që para konfliktit të fundit në Gaza. Por ky ishte një nga më të guximshmit.
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal Mekdad, vizitoi vendin e sulmit dhe u zotua se forcat izraelite nuk do të jenë në gjendje të dëmtojnë marrëdhëniet midis Iranit dhe Sirisë. Sulmi pason një rritje të dukshme të dhunës midis Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin izraelito-Liban që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, si dhe rifillimin e sulmeve të dhunshme nga milicia e mbështetur nga Irani në pozicionet e SHBA-së dhe Izraelit në Irak.
Të premten e kaluar, sulmet izraelite në Siri vranë 53 persona, përfshirë 38 ushtarë dhe 7 anëtarë të Hezbollahut, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Ky ishte numri më i lartë i viktimave të ushtrisë siriane nga sulmet izraelite që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor 2023. Disa e panë sulmin si një përgjigje ndaj një droni, me sa duket i lëshuar nga Iraku, i cili goditi një ndërtesë në një bazë detare në qytetin më jugor të Izraelit Eilat në orët e para të së hënës. Por Zahedi ishte në listë për tu eleminuar prej disa kohësh.
Si rregull Izraeli nuk i komenton sulmet e tij, por mediat iraniane nuk bënë asnjë përpjekje për të fshehur humbjen e një figure kaq të lartë. Vitin e kaluar, Izraeli vrau Sayed Reza Musawi, kreun e logjistikës së Gardës Revolucionare në Levant. SHBA-ja tha se ishte në dijeni të raporteve mbi sulmet ndaj misionit diplomatik iranian, por nuk kishte asnjë koment. Ndërkohë OKB është shfaqur shumë e shqetësuar nga raportet, ndërsa do të mbajë një qëndrim në ditët në vijim.
Rëndësia afatgjatë e këtij incidenti pritet të shihet në ditët në vijim. Ka të ngjarë që Teherani të monitorojë nga afër reagimin e SHBA-së, për të kuptuar nëse presidenti Joe Biden e miratoi paraprakisht sulmin apo nëse u njoftua vetëm kur filloi.
Shtetet e Bashkuara e kanë klasifikuar njësinë Al-Quds si një forcë terroriste, por diplomatët amerikanë kanë punuar shumë për të shmangur përshkallëzimin e luftës së Gazës në një konflikt më të gjerë drejtpërdrejt midis Iranit dhe Izraelit.
Duket se Izraeli ka plane të liga për ta zgjeruar konfliktin në Lindjen e Mesme, duke u përpjekur të përfshijë Libanin, Sirinë, Iranin dhe disa vende të tjera në rajon. Po ashtu është e qartë se SHBA-ja po e mbështet Izraelin në zbatimin e këtyre planeve dashakeqe.
Furnizimi së fundmi me armë vdekjeprurëse për Izraelin është i panevojshëm, dhe mbështetja e paarsyeshme dhe e verbër ndaj tij nga ana e Uashingtonit mund të çojë në fatkeqësi të tilla. Fuqia ushtarake izraelite po përbën një kërcënim global për paqen dhe stabilitetin. Madje, Izraeli është bërë aq i fortë saqë refuzon të zbatojë vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë.
Skenari që kemi përpara është i frikshëm, pasi Izraeli po na çon drejt Luftës së Tretë Botërore. Disponueshmëria e madhe e armëve vdekjeprurëse dhe atyre të shkatërrimit në masë, mund të shfarosë një pjesë të mirë të popullsinë së botës dhe përmasat e tragjedisë mund të imagjinohet. Që të gjitha vendet, organizatat dhe individët paqedashës duhet të reagojnë ndaj agresioneve izraelite dhe të kufizojnë ambicie të tilla./ Përshtati “Pamfleti” nga “Modern Diplomacy”
Shënim: Zamir Ahmed Awan, ish-diplomat karriere, anëtar i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin në Universitetin Kombëtar të Shkencave dhe Teknologjisë (NUST), Islamabad, Pakistan.
Source link