Kurti: Për dokumentin e vrasjes së Ukshin Hotit – Me informacione të tilla po vazhdon viktimizimi i familjes
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar ndaj një dokumenti që po qarkullon në mediat në Kosovë, i cili thuhet se ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas Kurtit, janë të pamohueshme krimet makabre që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës.
Por në këtë rast, ka shtuar ai, organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht duhet të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme.
“Informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia”, ka shkruar Kurti.
Andaj, ai thotë se familja dhe e gjithë shoqëria meriton përgjigje, ashtu siç meritojnë të gjitha familjet e secilit person që ende mungon.
“Kosova duhet t’i ketë prioritet krimet e kryera gjatë luftës”, ka thënë më tej Kurti, duke shtuar se kjo situatë duhet të na kujtojë kolektivisht që është e papranueshme bërja e pazareve në bisedime me Serbinë, për më shumë që vijon të ngelet i pasqaruar fati i të zhdukurve.
“Është momenti i fundit që Kosova të tregojë seriozitetin e saj në raport me ballafaqimin me të kaluarën”, ka thënë në fund të shkrimit të tij, Albin Kurti.