Valët e dritës të ndalura në një kristal premtojnë mënyra të reja për të kontrolluar
Vazhdon numërimi i votave, garë e ngushtë
Gara mes Presidentit Trump dhe rivalit Biden vazhdon të jetë e ngushtë dhe është ende e paqartë se kush do të jetë fitues. Në disa shtete kyçe mund të duhet disa ditë për të numëruar të gjitha votat.
Janë 9 shtete që ende është vështirë të përcaktohet fituesi, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Pensilvania, Miçigan, Uiskonsin, Mejn, Arizona, Nevada dhe Alaska.
Presidenti ka siguruar tashmë fitore në Ohajo, Ajova, Teksas dhe në shtetin e rëndësishëm të Floridës me 29 vota elektorale, ndërsa zoti Biden kryeson në shtetin e Arizonës. Disa rrjete televizive në Amerikë parashikojnë fitoren e zotit Bajden në Arizona. Zëri i Amerikës nuk e ka nxjerrë ende parashikimin për këtë shtet për shkak të afërsisë së numrit të votave. Në se rezultati në Arizona qëndron, do të ishte hera e parë që nga 1996 që fitohet nga demokratët. Zoti Biden ndërkohë ka fituar edhe një votë elektorale në Nebraska, që në 2016 kishte shkuar për zotin Trump.
Shtetet kyçe që pritet të përcaktojnë garën, janë ato të Pensilvanisë, Miçiganit dhe Uiskonsinit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, një numër rekord votash u hodhën me postë dhe numërmi i tyre ka bërë që procesi të zgjatet në kohë.14:05
Garë e ngushtë në shtetet që dolën si fushat kryesore të betejës elektorale
Fati i presidencës së Shteteve të Bashkuara është ende i paqartë të mërkurën ndërsa presidenti Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat Joe Biden, ndodhen në betejë në tri shtete, Uisconsin, Miçigan dhe Pensilvania – që mund të jenë vendimtare në përcaktimin se kush do udhëheqë vendin nga Shtëpia e Bardhë.12:08
Fushata e zotit Biden e gatshme të përballet në Gjykatën e Lartë
Zyrtarë të fushatës së kandidatit demokrat, Joe Biden, thanë se janë të gatshëm të përballen me presidentin Donald Trump, nëse ai dërgon në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndërprerjen e numërimit të votave.
Nëse ndodhë një gjë e tillë “ne i kemi ekipet ligjore të gatshme për t’i rezistuar kësaj përpjekjeje,” tha menaxherja e fushatës së zotit Biden, Jen O’Malley Dillon.10:52
Trump: Është mashtrim, do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë
Presidenti Trump bëri një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi fitore në zgjedhje edhe pse numërimi i votave është ende në proces.
Ai tha se “një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t’u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë.”
Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues.
“Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë,” tha Presidenti Trump.
“Ne po përgatiteshim t’i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi. Ky është një moment i madh, është një mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë.”08:43
Trump fiton Floridën
Presidenti Trump fiton shtetin e Floridës me 29 vota elektorale. Dy kandidatët e shihnin Floridën si shumë të rëndësishme në këtë garë dhe e kanë vizituar shumë shpesh këtë shtet gjatë fushatës.08:21
Pritet deklarata e Presidentit Trump
Presidenti Trump pritet të bëjë një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Më herët ai deklaroi në Twitter: “Ne jemi shumë më përpara por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne nuk do t’i lejojmë ata kurrë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit.”08:12
Trump fiton në Teksas dhe Montana, Biden në Minesota
Trump fiton në Teksas me 38 vota elektorale, Montana me 3 vota dhe në Ajova me 6, Biden në Minesota me 6. Nebraska ndahet: Trump fiton 4 vota, Biden 1. (Dy shtete i ndajnë votat elektorale në varësi të votës popullore që fitojnë kandidatët).08:11
Presidenti Donald Trump fiton në Misisipi, demokrati Joe Biden fiton në Rhode Island.07:26
Biden në Twitter pas postimeve të Presidentit Trump: U takon zgjedhësve të shpallin fituesin
Pas postimeve në Twitter të Presidentit Donald Trump, kandidati demokrat Joe Biden, shkruan në Twitter se “nuk më takon as mua, as Donald Trumpit të shpallim votuesin. U takon votuesve”.