Universi mund të ketë formë si një shtëpi argëtimi e çuditshme dhe e shtrembëruar: ScienceAlert
A do t’i shkojnë partitë opozitare Kurtit në takim?
Nga Brukseli, Kryeministri Albin Kurti të enjten paralajmëroi seri takimesh që do t’i ketë me opozitën kur të kthehet në Prishtinë.
E gjitha kjo në raport me dialogun me Serbinë, një rreth i të cilit në nivel të lartë pritet të mbahet dikur në muajin qershor.
“Gjatë muajit maj ne do të takohemi me opozitën në Kosovë në mënyrë që të kemi kontributin e tyre po ashtu. Në vetëm duam dialog të mirë organizuar e me parime. Nuk besoj se mund të përballojmë gabime e dështime të reja”, tha Kurti një ditë më parë.
Të premten erdhën përgjigjet preliminare të tre partive opozitare.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk mund të marrin pjesë në takime të formatit që i mendon Kurti dhe se PDK e do ballafaqimin me të për dialog në Kuvend.
Arben Gashi që është shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ftesën e Kurtit tha se “kjo është një deklaratë e qëllimshme e Kurtit për të krijuar tollovi”.
E i pari i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha shenja AAK mund të merr pjesë në konsultime me kryeministrin.
“AAK e konsideron shumë të rëndësishme konsultimet për dialog me partitë parlamentare”, theksoi Tahiri.
Por njeriu i cili ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë paraprake me kryeministër Avdullah Hotin e quajti të pa dinjitetshme deklaratat e Kurtit kur tha se më shumë informacione për dialogun mori nga emisari Miroslav Lajçak sesa nga qeveria Hoti.
“Kurti në zyrë ka raporte të detajuara të të gjitha marrëveshjeve dhe procesit paraprak”, shtoi Tahiri.
Edhe Gashi i LDK-së konfirmoi se Hoti i ka dorëzuar shefit aktual të qeverisë dosjen e bisedimeve me Serbinë.
Në këtë temë , Abelard Tahiri tha se pohimet e Kurtit rreth dokumentacionit e informacionit e “nxorën keq Republikën e Kosovës dhe ajo që kryeministri shkoi të mësojë në Bruksel për punët e vendit është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën”.