Fehmi Kupina zgjidhet kryesues i Asamblesë në Prishtinë
Fehmi Kupina i LDK-së është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës me 25 vota pro, duke marrë edhe përkrahjen e nëntë asamblistëve të PDK-së dhe nga një të Nismës e Lëvizjes për Bashkim. Kupina u zgjodh në rundin e tretë, pasi në dy rundet e para s’mjaftonin 25 votat. Në rundin e tretë mjaftonin votat e shumicës së atyre që votuan.
Është zotuar për punë e përgjegjësi.
“Plani ynë është i qartë. Qytetari i Prishtinës do të jetë kryefjala e çdo zhvillimi. Bashkë do t’i zgjedhim projektet e do t’i mbikëqyrim bashkë. Bashkë do t’i gëzojmë”, ka thënë ai.
Dështon edhe raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të Asamblesë së Prishtinës
25 ka qenë numri i votave pro Fehmi Kupinës së LDK-së për t’u zgjedhur kryesues i Asamblesë Komunale edhe në rundin e dytë të votimit. 26 është numri i votave që i duhej për t’u zgjedhur në dy rundet e para.
Kupina nuk merr votat e mjaftueshme për Kryetar të Asamblesë Komunale të Prishtinës në raundin e parë
25 vota pro i ka marrë Fehmi Kupina i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Këto vota të rundit të parë s’janë të mjaftueshme për t’u zgjedhur kryesues, pasi për këtë duhen 26 vota.
Në votim kanë marrë pjesë 14 asamblistët e LDK-së, nëntë të PDK-së dhe nga një i Nismës dhe Lëvizjes për Bashkim.
Në sallë qëndruan por s’votuan asamblistët e VV-së, ndërsa ata të AAK-së dhe AKR-së lëshuan sallën.
Fillon votimi për kryetarin e Asamblesë
Ka nisur procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të Asamblesë Komunale të Prishtinës. Fehmi Kupina i LDK-së është i vetmi propozim. Nga 51 asamblistë, për t’u zgjedhur kryesues duhen 26 vota pro.
Afati i fundit për të zgjedhur kryeasamblistin në Prishtinë është 6 janari. Po që se nuk zgjidhet deri atëherë, Prishtina shkon në zgjedhje të reja lokale për Asamble.
Fehmi Kupina nga LDK propozohet për pozitën e kryetarit të Asamblesë së Prishtinës
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka nisur mbledhjen e sotme ku do të zgjedh kryesuesin e Kuvendit Komunal.
Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh, ka hequr dorë nga propozimi i anëtarit për kryesues.
“Ne heqim dorë nga kjo e drejtë, dhe ia kalojmë subjekteve tjera. LVV nuk është peguese e procesve dhe ne do të qëndrojmë në sallë”, u tha nga një asamblistë i LVV-së.
Kurse nga LDK u propozua Fehmi Kupina, i cili është edhe emri i vetëm i porpozuar, pasi që edhe subjektet tjera PDK, AAK e AKR nuk dhanë ndojë emër.