Kurti nga kazerma e FSK-së: Ju Ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite
Kryeministri Albin Kurti po qëndron në kazermën e FSK-së në Gjilan prej ku ka thënë se Ushtria e Kosovës është edhe ëndrra dhe amaneti i shumë brezave.
“Është kënaqësi të jem këtu sot, në mesin e juve ushtarakëve të përkushtuar. Ju Ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë. S’kam sesi të mos ndihem i nderuar dhe krenar, dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se FSK çdo ditë rritet me kapacitetet e saj, duke dëshmuar se është gati për përgjegjësi të reja.
“Në vitin që lamë pas FSK sërish ka treguar profesionalizëm të lartë. Një ndër sukseset më të larta është pjesëmarrja në Defender Europe 2022, ku ju treguat profesionalizëm së bashku me ushtarët e NATO-s dhe SHBA-ve. Sfida e radhës Defender Europe 2023 do të ju gjej edhe më mirë edhe më të përgatitur, jam i sigurt për suksesin tuaj edhe në këtë ushtrim”, u shpreh Kurti.
Kurti shtoi se ngritja e ushtrisë është detyrë e jona e përbashkët, duke premtuar mbështetje nga ana e Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si në pajisje e armatim ashtu edhe në kushtet e shërbimit dhe në ofrimin e mundësive ku ju mund të tregoni shkathtësitë tuaja ushtarake”, tha Kurti.