Rrustemi: Opinioni i Venecias s’është bllokues për Byronë Shtetërore të Konfiskimit
Rrustemi: Opinioni i Venecias s’është bllokues për Byronë Shtetërore të Konfiskimit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka konsideruar se opinioni i Komisionit të Venecias nuk është bllokues për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
I ftuar të enjten në emisionin Interaktiv të KTV-së, Rrustemi ka thënë se bazuar në Komisionin e Venecias, opinioni i tij vetëm do t’i identifikojë aspektet që kanë nevojë të ndryshohen ose të përmirësohen.
“Kemi opinionin e Venecias me rekomandime specifike, në përgjithësi opinioni sado sugjerime, rekomandime, vërejtje e shqetësime që mund t’i evidentojë, ky opinion në atë përmasën e përgjithshme ka një lloj fleksibiliteti sepse në masë të madhe e orienton punën që do të duhej të bëhej në mes të dy leximeve për ta plotësuar projektligjin. Keni parasysh që opinioni i Venecias që në hyrje thotë se “ne nuk do të merremi me anët pozitive të projektligjit, por thjeshtë do t’i identifikojmë aspektet që kanë nevojë të ndryshohen ose përmirësohen si shqetësime. Në përgjithësi rekomandimet nuk janë të ngurta ose nuk janë bllokuese, krejtësisht janë çbllokuese”, ka thënë Rrustemi.
Derisa ka thënë se opinioni i Komisionit të Venecias për Projektligjin për Byronë është pozitiv, Rrustemi ka shtuar se ky projektligj nuk kthehet prapa në asnjë mënyrë.
“Kuvendi tashmë e ka miratuar në lexim të parë, komisioni për legjislacion e ka themeluar grupin punues, e pranoj që ka hapësirë për t’u punuar dhe kërkon angazhim më të gjerë, do të ketë diskutime me akterë institucionalë e të shoqërisë civile”, ka shtuar Rrustemi.
Sipas tij, Byroja është përgjigje në luftën kundër korrupsionit, ndonëse thotë se nuk është i vetmi mekanizëm.
Rrustemi: Sistemi i drejtësisë në të kaluarën është dashur ta mbrojë shpinën nga politika
Sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndodhur shpeshherë në pozitën “sendviq”, ku në njërën anë ka qenë politika zyrtarë e cila s’ka pasur interesim ta luftojë korrupsionin dhe në anën tjetër vetë sistemi e ka pasur përgjegjësinë që ta luftojë korrupsionin, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi.
Duke folur në “Interaktiv” të KTV-së të enjten rreth funksionalizimit të Gjykatës Komerciale, Rrustemi ka thënë se sistemi i drejtësisë në të kaluarën është dashur ta mbrojë shpinën nga politika, ndërkaq tani e ka mbështetjen e plotë për ta luftuar korrupsionin.
“Sistemi i drejtësisë është ndodhur shpeshherë në një pozicion ‘sendviq’, në njërën anë politika zyrtare s’ka qenë e interesuar ta luftojë korrupsionin e në anën tjetër i ka pasur përgjegjësitë për ta luftuar korrupsionin. sistemi i drejtësisë është dashur të mbrojë dhe shpinën nga politika e në anën tjetër ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, aktualisht ë ka mbështetjen e plotë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, themelimi i Gjykatës Komerciale, e shkarkon ngarkesën në sistemin gjyqësor ku mesatarja e trajtimit të një rasti pronësor e civil ka shkuar nga 8-10 vjet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Source link