Moody’s ul perspektivën për vlerësimin e kredisë së Kinës për shkak të rritjes më të

Koronavirusi dhe “diktaturat” politike
Menaxhimi i situatës me pandeminë e koronavirusit ka vënë në dukje dallimet për formën dhe mënyrën e qeverisjes tek vendet e Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Vendet ballkanike që aspirojnë integrimin në BE, janë përpjekur të menaxhojnë situatën kryesisht përmes masave më drastike të kufizimit të të drejtave të njeriut, përfshi lirinë e lëvizjes dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në Ballkanin Perëndimor, vendet si Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, që të gjithat, shtrënguan masat, kufizuan lirinë e lëvizjes dhe i zbatuan këto masa duke i vënë në paralajmërim që shpesh dukej edhe si kërcënim për qytetarët se do të përballen me dënime e pasoja në rast të shkeljes së rregullave të vendosura.
Ndërkohë, liderë të shumtë evropian, kanë zbatuar kufizime, duke ndaluar grumbullimin e njerëzve dhe kufizuar bizneset, por në vend të paralajmërimeve kërcënuese, kryesisht qytetarëve u kanë premtuar se do t’u dalin në ndihmë dhe do t’i sanojnë së bashku pasojat.

Në rastin e Kosovës, pandemia ka qenë në plan të dytë krahasuar me krizën politike pas rënies së qeverisë me mocionin e mosbesimit në Kuvend. Këtu kishte tentativa të presidentit Hashim Thaçi, por gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall. Megjithatë edhe qeveria në detyrë zbatoi masa tejet të ashpra që lejuan lëvizjen e qytetareve në vetëm 90 minuta në ditë. Aktualisht, kji liri e lëvizjes është zgjeruar në katër orë. Përveç kufizimeve të ashpra, këto masa, sipas Gjykatës Kushtetuese ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Shqipëria, ishte ndër të parat që shtrëngoi masat në përpjekje të luftimit të përhapjes dhe shpërndarjes së koronavirusit. Kryeministri Edi Rama është parë edhe vet duke u bërë presion njerëzve që të mos dalin rrugëve duke i paralajmëruar se do të kenë pasoja të rënda dhe ndëshkime ligjore.
Serbia ndërkaq, nga gjendja e jashtëzakonshme e shpallur si masë drastike kundër koronavirusit, ka vendosur që brenda një kohe të shkurtë, më 21 qershor, të shkojë në zgjedhje.
Edhe Maqedonia e Veriut, është në të njëjtën rrugë, nga pandemia dhe gjendja e jashtëzakonshme drejt zgjedhjeve.
Por jo vetëm në Ballkan, por edhe brenda BE-së kishte vende dhe liderë të cilët treguan forcën e tyre politike në kohën e pandemisë.
Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban, njihet si një nga liderët më të diskutuar brenda Bashkimit Evropian. Si një lider i një partie nacionaliste Fidesz, ai gëzon një mbështetje solide në Hungari.
Në emër të luftimit të pandemisë, Orban mori mbështetjen e parlamentit hungarez, i cili kishte miratuar një projektligj, përmes së cilit ai fitonte fuqi të reja. Për këtë veprim, ai ishte akuzuar se po e shfrytëzon pandeminë për më shumë pushtet për vete.

Ndërkohë, një prej shteteve të BE-së që vlerësohet se ka menaxhuar më mirë situatën me Covid-19 është Gjermania.
Ky vend aplikoi ndalesa e kufizime, por nuk e bëri këtë në formën drastike të disa vendeve të Ballkanit apo të Lindjes.
Në javën e parë të majit, qeveria gjermane kishte vendosur t’i zbusë masat, duke konstatuar se gjërat po shkojnë përpara dhe se të gjitha dyqanet do t’i hapin dyert, shkollat dhe kopshtet po ashtu. Gjermanëve, iu premtua se sërish do të ketë sport dhe futboll në televizor, ndonëse pa shikues. Me optimizëm, Gjermania ndër të parat i hapi edhe kufijtë e saj për shtetet fqinje.
Virologët ishin pajtuar me hapjen e shtetit dhe daljen nga izolimi, duke rikujtuar se askush nuk mund ta thotë se nuk do të ketë një valë të dytë të infeksionit nga koronavirusi.
Me masa të ngjashme, dhe me premtimet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve e bizneseve të goditura dolën edhe Austria, Franca dhe Zvicra.
Që nga 16 maji, Gjermania, Austria, Zvicra dhe Franca lejuan edhe lëvizjet ndër-kufitare mes tyre pas fazës së parë të masave shtrënguese anti-koronavirus. Por këto lehtësime vlejnë vetëm për grupe të caktuara.
Kryesisht, udhëtarët lejohen të kalojnë kufirin për arsye pune dhe vizita familjare. Kjo vlen edhe për pronarët e tokave, kopshteve, sipërfaqeve pyjore, atyre të gjuetisë e bujqësore. Lejohet po ashtu edhe hyrja për studime apo shkollimin profesional.