
Banka Botërore aprovon 46 milionë euro kredi për Emergjencën COVID-19
Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar që është pjesë e Bankës Botërore, ka aprovuar kredinë prej 46 milionë euro për “Projektin e Emergjencës COVID-19”.
Mjetet financiare të kësaj kredie, sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera, prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive.
“Për më tepër, në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos Emergjente Fiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kjo ministri njofton se Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, i njohur ndryshe edhe si “International Development Association – IDA”, dhe pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.
“Projekti i Emergjencës COVID-19” është arritur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe Ministrisë së Shëndetësisë në njërën anë dhe Bankën Botërore në anën tjetër”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve.