
Qeverisë i kërkohet t’i ndihmojë fermerët që humbën subvencionet
Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka drejtuar një letër Ministrisë së Bujqësisë përmes së cilës kërkon që të rishikohen dhe vlerësohen listat refuzuese për subvencione për disa fermerë në Kosovë.
Në këtë letër potencohet se fermerët kanë pësuar humbje në aspektin financiar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, pasi sipas tyre, produktet e tyre nuk kanë mundur t’i plasojnë në tregje apo t’i eksportojnë jashtë vendit.
Tutje, Asociacioni ka vlerësuar se pasojat nga vështirësitë e krijuara nga situata me COVID-19 kanë ndikuar në investimet e bëra nga fermerët, e të cilat investime nuk kanë rezultuar në fitim për ta.
“Fermerët e komunave të Kosovës ashtu siç është paraparë me Udhëzimin Administrativ (të vitit 2018) kanë aplikuar për pagesa direkte – subvencione të cilat si procedurë kryhen në komuna, respektivisht në drejtoritë përkatëse komunale. Zyrtarët komunalë nga evidencat dhe vizitat e tyre në teren këtë vit kanë vërejtur një rënie të numrit të aplikacioneve në komuna. Komunat gjithashtu kanë identifikuar që fermerët lider dhe një numër i tyre edhe pse fermer më të mirë, për arsye të ndryshme tani gjenden në listën e zezë duke u bazuar në raportet e inspektorëve të MBPZHR-së”, thuhet në njoftim.
Asociacioni tërheq edhe vërejtjen se ka fermerë që nuk i njohin mjaftueshëm procedurat burokratike të shfrytëzimit të së drejtës për ankesë dhe rrjedhimisht ndodhen në listën e zezë të ministrisë.
Andaj, ky Asociacion konstaton se kjo mosnjohje e procedurave ka sjellë si pasojë që fermerët të përjashtohen më shumë se sa për vitin aplikues.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga Ministria e Bujqësisë të bëhet një rishikim i kritereve dhe rivlerësim i këtyre listave në mënyrë që të t’iu ndihmohet fermerëve që të kalojnë vështirësitë e krijuar për veprimtarinë e tyre me probleme shtesë të krijuara edhe nga pasojat e pandemisë.