
BIK kërkon që për Fitër Bajram të mos realizohen vizita familjare
Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar nga besimtarët myslimanë që të mos dalin për festën e Fiter Bajramit nëpër vizita familjare, për shkak të mundësisë së përhapjes dhe shpërndarjes së koronavirusit.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka falënderuar besimtarët për durimin dhe kulturën e lartë që kanë treguar gjatë kësaj kohe të pandemisë duke respektuar udhëzimet nga BIK-u, por edhe nga institucionet shëndetësore.
Ai ka udhëzuar qytetarët që për shkak të situatës kur namazin e Fitër Bajramit nuk do të mund ta falin në xhami, të gjejnë kohë të lexojnë Kuran-in.
“Besimtarët pas namazit të sabahut të lexojnë Kuran, tekbire, salavate, dua e lutje të ndryshme dhe kjo festë të përjetohet sikur të ishin në xhami”, ka thënë Tërnava, duke kërkuar që për festën e Fitër Bajramit të mos dilet nga shtëpia duke pasur kontakte fizike për shkak të rrezikimit të shëndetit publik.
Kryesia e Bashkërisë Islame të Kosovës ka ftuar besimtarët dhe gjithë opinionin e gjerë që t’u përmbahet udhëzimeve dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për t’u mbrojtur nga Pandemia.