Qeveria e mirë dhe Qeveria e keqe sipas artit italian të shekullit XIV!
Qeveria Kurti do ta vlerësojë dhe rishikojë reciprocitetin ndaj Serbisë
Qeveria në detyrë e Kosovës pritet që të vlerësojë zbatimin njëmujor të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe konform rezultatit të vlerësimit, të vendosë nëse do të shtrëngojë tutje këto masa.
Vlerësimi i zbatimit të masave të reciprocitetit pritet të bëhet nga kabineti i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti mbi bazën e vendimit të datës 1 prill, kur qeveria shfuqizoi tarifat doganore 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe vendosi masën e reciprocitetit.
Mbetet në mëdyshje pjesëmarrja aktive e ministrave të LDK-së në këtë vlerësim, pasi që kjo parti politike nuk e mbështetë reciprocitetin. LDK ka deklaruar se nuk e mbështetë reciprocitetin, pasi që dëshiron të përfillë kërkesën amerikane që të hiqen këto masa dhe të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me synim të arritjes së një marrëveshje historike – paqësore.
Megjithatë, Kurti dhe kabineti i tij, edhe pa ministrat e LDK-së, kanë kuorum të mjaftueshëm që të vlerësojnë dhe të vendosin për masa shtesë në raport me reciprocitetin ndaj Serbisë.
Kryeministri Kurti ishte zotuar se deri më 15 qershor, do të bëhet një vlerësim i gjithmbarshëm i zbatimit të reciprocitetit. Por, paraprakisht, do të ketë edhe vlerësime mbi baza mujore.
“Nuk do të mjaftohemi vetëm me vlerësimin e gjithmbarshëm më 15 qershor, por pika 3 e këtij propozim-vendimi thotë që zbatimi dhe përshtatshmëria e këtij vendimi do të rishikohen së paku një herë në muaj”, ka deklaruar Kurti.
Kjo nënkupton rishikimin periodik të reciprocitetit së paku një herë në muaj, duke mbledhur të dhënat nga zyrtarët doganorë se si po ecën puna e reciprocitetit.
Kurti, po e vazhdon punën e qeverisë së tij me funksione të kufizuara, pasi që më 25 mars, Kuvendi i Kosovës votoi suksesshëm mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së tij, sipas kërkesës së LDK-së të mbështetur edhe nga opozita.
Fati i zbatimit të reciprocitetit ndaj Serbisë, është i ndërlidhur edhe me kohëzgjatjen e funksionimit të qeverisë Kurti.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar lëndën në lidhje me hapat kushtetues për formimin e qeverisë pas mocionit të mosbesimit. Kjo Gjykatë pritet së shpejti të dalë me një aktgjykim në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili do t’i jepte të drejtë edhe LDK-së që të formonte qeverinë, pas mocionit të mosbesimit.
Por, Kurti beson se Gjykata do ta favorizojë opsionin e tij, sipas të cilit, pas mocionit të mosbesimit nuk mund të formohet qeveri e re pa partinë fituese të zgjedhjeve dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.