Mushkolaj: Pushteti i tretë është i eliminuar me këtë marrëveshje

Grenell pret formimin e qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut
Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon t’ia besojë rolin e ndërmjetësuesit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadorit Richard Grenell. Në fillim të marrjes së kësaj detyre, Grenell i ka dhënë një dinamikë dialogut, por muajt e fundit, ai nuk ka arritur vazhdimin e dialogut, për shkak të raporteve jo të mira me kryeministrin, tashmë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Ambasadori Grenell ka konfirmuar se do të largohet nga pozita e ambasadorit amerikan në Berlin të Gjermanisë për të qëndruar në Uashington në prag të zgjedhjeve presidenciale, duke i ofruar mbështetje presidentit Trump.
Largimi i tij nga pozita e ambasadorit, nuk nënkupton edhe heqjen dorë nga ndërmjetësimi në ndërmjetësimi në dialog.
Richard Grenell do të vazhdojë të jetë i dërguar i posaçëm amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë në një përgjigje për REL, zëdhënësi i tij, Dick Custin.
“Ambasadori Grenell mezi pret që të ndodhin diskutimet e radhës në kuadër të dialogut, sapo të vendoset përbërja e re e qeverisë”, ka thënë Custin.

Aktualisht Kosova ka qeveri në detyrë, e cila nuk pritet të përfshihet në dialog. Por, edhe formimi i qeverisë së re, pritet të varet nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nëse ajo do të njeh formimin e qeverisë pa zgjedhje të lira apo qeverisë pas zgjedhjeve.
Nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në parim për vendosjen e linjës direkte ajrore, Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe autostradave që do t’i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në.
Por, krahas SHBA-së, edhe vendet evropiane janë në “garë diplomatike” të të marrë nën drejtim finalen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas dhe homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar që të rifillojë menjëherë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Europian.
“Së bashku me Serbinë dhe Kosovën, ne jemi të vendosur që t’i zgjidhim të gjitha pengesat e mbetura. Situata e pazgjidhur midis të dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë është një çështje europiane e sigurisë. Ajo pengon zhvillimin e nevojshëm ekonomik dhe përparimin politik”, janë zotuar diplomatët.
“Për këtë qëllim, shtetet anëtare të BE-së emëruan një nga diplomatët më të aftë të Europës, Mirosllav Lajçak, si Përfaqësues Special për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për çështje të tjera rajonale. Franca dhe Gjermania janë të gatshëm ta mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin politik, diplomatik dhe ekonomik”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashimi Evropian ka ngecur që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e mëparshme e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi një taksë 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Qeveria e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, e hoqi taksën në muajin prill. Vendimi u mirëprit nga institucionet evropiane dhe vendet anëtare të saj.
Por, Shtetet e Bashkuara kërkuan edhe heqjen e masës së reciprocitetit tregtar të cilën e vendosi qeveria Kurti.