“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
Vetëvendosje paralajmëron protesta kundër Qeverisë Hoti
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vijnë protestat kundër Qeverisë Hoti.
Në një intervistë për REL, Kurti ka thënë se protestat janë të pashmangshme. Ai ka deklaruar se ato do të jenë paqësore.
“Protestat janë të pashmangshme, do të jenë paqësore. Ne jemi partia më e madhe në Kosovë. Jemi partia e parë, jemi subjekti politik kryesorë e më i fuqishëm në Kosovë andaj mendoj se me një qeveri të këtillë të dobët, një opozitë që përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ndokush tjetër, duke e theksuar këtu në veçanti kryeparlamentaren Osmani, padyshim se i ka të gjitha mjetet e duhura për rezultatin e nevojshëm– e këto janë zgjedhjet e reja dhe shkurtimi i jetës së qeverisë së paligjshme”, është shprehur ai. “Unë besoj që shumë shpejt do të vijmë deri te protestat. S’kemi dashur të bëjmë protestë kur ishte në pyetje pushteti ose qeveria, por për çështjet për të cilat ne ekzistojmë si subjekt politik ato janë të pashmangshme”.
Kurti e ka quajtur të paligjshme Qeverinë Hoti. Sipas tij, kjo qeveri ka ardhur nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese që “është në kundërshtim me vetë vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese”.
“Është në kundërshtim me Kushtetutë dhe në këtë mënyrë, kjo gjykatë, në vend se të jetë më e larta në republikë, është gjykata kulmore e kapjes së shtetit. Prandaj, nga ky aspekt, qeveria aktuale është qeveri e paligjshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për neve, ndërkaq në anën tjetër kjo është sërish e paligjshme për shkak se u kontrabandua në Kuvend nga presidenti. Nuk është vullnet politik nga poshtë, as nga brenda Kuvendit, por nga presidenti që ndodhet jashtë. Qeveria Hoti është qeveri koti. Kjo nuk është qeveri që do të qeverisë, është qeveri me të cilën do të qeveriset, qartazi presidenti, klani ‘pronto’, të korruptuarve që u goditën nga katër muaj të qeverisë së mirë iu leverdis një qeveri koti. Do të bëjmë betejën edhe brenda kuvendit edhe jashtë”, ka shtuar Kurti që ka theksuar se “kjo është krizë e jashtëzakonshme”.
Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se qeveria aktuale dhe presidenti Hashim Thaçi nuk kanë kapacitetin për t’u përballur me Serbinë në dialog.
Ka përjashtuar një bashkëpunim me PDK-në në opozitë duke thënë se kjo parti “shtiret se është në opozitë”.
Kurti u rrëzua nga posti i kryeministrit më 25 mars, pasi LDK-ja, ish-partnere në qeverisje, inicioi mocionin e mosbesimit. Pas rrëzimit të Kurtit, presidenti Thaçi ia dha mandatin LDK-së. Vetëvendosje e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese e ajo i dha të drejtë Thaçit duke i hapur rrugë Hotit për formimin e Qeverisë, e që e bëri të mërkurën e 3 qershorit.