GJASHTË RASTE ME COVID-19 NË KOSOVË
Në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar edhe gjashtë raste të reja me koronavirus. Janë testuar gjithsej 294 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, kurse rastet pozitive janë nga komuna e Prishtinës 3 raste dhe me nga 1 rast janë vendbanimet në Mamushë, Vushtrri dhe Gjilan.
Deri më sot, janë testuar gjithsej 17.199 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.269 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK, thinë se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Edhe kësaj radhe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë udhëzimet.
“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave”, thotë IKSHP.
“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin per Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.