Kush është Alyce Huckstepp, e dashura e Jamie Foxx dhe mbështetësja e tij më e

Hoti përballet me opozitarizëm të fuqishëm për dialogun
Kryeministri Avdullah Hoti e sheh si shumë pozitive përfshirjen dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë raportimit para Kuvendit në lidhje me vazhdimin e dialogut, Hoti ka thënë se tash Kosova është në rrethana të reja në dialog, pak ditë pasi të dy shtetet do të takohen në Washington me ftesë të të dërguarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Të gjetur në një situatë, pa vullnet politik nga të dyja palët për të hapur alternativa të reja dialoguese dhe me vullnet anemik të BE-së, faktori amerikan pranoi të jetë jo më arbitër jashtë palëve, por ndihmues kreativ i një procesi të ri i cili nuk rrjedh vetëm për të konsumuar vetveten, por për të prodhuar marrëveshje paqeje që duhet të kulmojë me njohje reciproke. Jemi në rrethana të reja, ku për herë të parë ne jemi jo vetëm aktorë, por edhe protagonistë në kuadrin që po ndërtohet për të arritur marrëveshjen për njohje reciproke. Kosova ka interes jetik të përmbyllë konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare përmes çarjes së rrethimit që ka sjell konflikti i ngrirë me Serbinë”, ka thënë ai para deputetëve.
Hoti ka thënë se “momentumi i ri ndërkombëtar BE-SHBA, për Kosovën vjen në një kohë kur grupime politike populiste, jo vetëm s’patën guximin të marrin përgjegjësi për t’i dalë në mbrojtje subjektivitetit dhe sovranitetit të Republikës, por i rrezikuan përmes barrikadimit dhe humbjes së miqve”.
Sipas tij, heqja e barrierave tarifore nga qeveria e udhëhequr nga ai, ishte “veprim i vullnetit të mirë për t’i dhenë shtysë projektit politik për betonimin e subjektivitetit të Republikës”.
“Ne s’besojmë se masat e përkohshme politike, që krijojnë barriera, mund të zgjidhin problemin politik me Serbinë. Barrierat do t’i adresojmë përmes mekanizmave rajonalë dhe evropianë. Vetëm në këtë mënyrë, përmes masave të marra në koordinim me qendrat ndërkombëtare do të kthejmë besimin e SHBA-së në Kosovën dhe eliminimin e keqkuptimeve të shkaktuara mes nesh. E gjithë kjo ndërmarrje e qeverisë sonë, ka pas qëllim që qytetarët e shteti të mos paguajë faturën e politkkave të gabuara që izoluan vendin nga miqtë tanë”, ka thënë tutje ai.
Selimi mbronë reciprocitetin – kritikon Hotin
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka deklaruar se të jesh kundër reciprocitetit do të thotë të jesh i pabarabartë qysh në nisje të dialogut dhe do të thotë që qeveria Hoti nuk ka guxuar të mbrohet edhe kur kishin mundësi.
Ai e ka quatur të turpshëm heqjen e reciprocitetit nga Qeveria Hoti.
“E dimë tashmë që juve gjithë bashkë ju bëri presidenti në ndërtimin e një qeverie ilegale, por të gjithë iu bashkuar atij edhe kundër reciprocitetit, edhe kundër qeverisë Kurti, edhe për pushtetin edhe për marrëveshjet me Serbinë, prandaj ne e kemi të vështirë sot të gjejmë dallimin në mes jush sepse ju jeni të njëjtë në të gjitha këto tema“, tha Selimi.
Ai shtroi edhe disa pyetje për ata që e kundërshtojnë reciprocitetin, në veçanti kryeministrit Avdullah Hoti.
“I bej disa pyetje për ju që jeni kundër reciprocitetit, në veçanti kundër Avdullah Hoti i cili e morri këtë vendim, çka përfiton Kosova duke mos qen e barabartë me Serbinë, çka përfiton Kosova nga heqja e reciprocitetit, përse është pengesë reciprociteti, mbaj shënim sepse po pres përgjigje, për kë është pengesë reciprociteti dhe në fund të fundit në çfarë dialogu jeni nisur, a e kuptoni që nuk ka dialog pa reciprocitet, nuk ka dialog në mes të pabarabartëve sepse ai më nuk quhet dialog, ju keni heq dorë edhe nga vet dialogu, prandaj para se të mendoni se ku po shkoni, mendoni se ku do të ktheheni“, tha Selimi.
Hoxhaj: Qeveria Hoti shkeli Deklaratën e Pavarësisë
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria Hoti ka vendosur një standard të ri duke e shkelur për dy javë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës me heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
“Tarifa është vënë si kundërmasë ndaj Serbisë, ju e keni hequr taksën, reciprocitetin dhe keni hequr dorë nga kandidatura, aplikimi në organizata ndërkombëtare. Pra, i keni bërë tri lëshime për njëlloj zotimi të rrejshëm të Serbisë. Cili është dëmi më i madh i këtij zotimi. Kolegët e VV-së vërtet e kanë vendosur standard të ri sepse për 50 ditë e kanë shkelur dy herë Kushtetutën, por kjo Qeveri ka vendosur një standard të ri se për dy javë e shkeli Deklaratën e Pavarësisë. Citoj pikën e tetë se çfarë thotë: Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë. Me fjalë të tjera, me zotimin që ka bërë Qeveria ju keni hequr dorë prej këtij paragrafi të Deklaratës së Pavarësisë. Kjo është një temë më serioze përtej debatit se kush është në opozitë dhe në Qeveri”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij amerikanët do të kishin konsideratë nëse do iu tregohej ky fakt.
“Nëse ju do t’iu thoshit partnerëve amerikanë e kemi të shkruar në deklaratën e Pavarësisë ma merr mendja që nuk do të kërkonin prej juve që me e pas një zotim të tillë. Nëse ju do t’i thoshit partnerëve amerikanë se është edhe në Pakon e Ahtisarit, ma merr mendje se do të kishin konsideratë. Nëse kishit larguar reciprocitetin vetëm për shkak të tërheqjes së njohjeve kish qenë njëfarë bilanci, por keni bërë tri lëshime”, ka thënë ai.