Wednesday, June 29, 2022

Reagon Grenell: Shkëmbimi i territoreve nuk është diskutuar dhe nuk kishte ‘marrëveshje të shpejtë’

I Dërguari i Posaçëm i Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi Richard Grenell ka reaguar ndaj një artikulli të “NY Times”, ku flitet për “marrëveshje të shpejtë”, midis Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Grenell në reagimin e tij shprehet se në raportim ka shumë gabime dhe sipas tij, gazetari nuk e ka kontaktuar kurrë lidhur me këtë çështje.

Ai gjithashtu shprehet se fokusi i SHBA-ve në çështjen midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë ekskluzivisht nga aspekti ekonomik.

Grenell pohon tutje se nuk është bërë fjalë kurrë për ‘fitore’ të shpejtë, që e quan tregim i vazhdueshëm mediatik i gabueshëm.

“Shumë gabime në këtë pjesë. Dhe nuk është çudi… reporteri nuk më kontaktoi kurrë. Qasja jonë ka qenë gjithmonë përqëndrimi në punë dhe ekonomi. Asnjëherë nuk kemi besuar se kjo do të ishte një fitore e shpejtë (një tregim i vazhdueshëm mediatik që është krejtësisht i gabuar dhe pa fakte”, shkruan Grenell.

Më tutje, ai ka bërë edhe një reagim të dytë duke shtuar se ka folur me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës dhe Gjermanisë për ta koordinuar qasjen e SHBA-ve të kufizuar në dialog (vetëm ekonomike).

“Unë gjithashtu kam folur me këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Gjermanisë dhe Francës për të koordinuar qasjen tonë të kufizuar (vetëm ekonomike). Shkëmbimi i territoreve nuk është diskutuar kurrë para meje. Ne nuk do të përfshihemi në politikën e Kosovës dhe Serbisë. Ne koordinohemi me këdo që është përgjegjës”, tha Grenell në fund. 

- Advertisment -

Lexoni