Rama: Aktakuzat e Speciales, sikurse komunikatat përgjatë revolucionit kinez
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përmbyllur vizitën e tij dy ditore në Kosovë me mesazhin se Shqipëria do t’i qëndrojë afër Kosovës në këtë kohë kur po përballet me aktakuzat e para të Gjykatës Speciale. Këto aktakuza, Rama i ka quajtur si njolla në drejtësinë ndërkombëtare.
Në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës, Rama tha se ka ardhur në Kosovë në funksion të nevojës kombëtare për bashkim, derisa publikimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli e ka quajtur një fletë-rrufe e ngjashme me komunikatat e revolucionit kinez.
Rama tha me këtë rast se pa Thaçin dhe Veselin, s’mund të kishim Kosovë të pavarur dhe sovrane.
“Unë nuk erdha këtu për të bashkuar të gjithë partitë politike apo udhëheqësit e tyre në një tryezë sepse e para kjo nuk është detyra ime dhe e dyta ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik. Asnjëherë nuk kam menduar për këdo që duke e bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’ju tregoj të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë”, tha Rama.
Rama tha se “Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte”.
“Dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi por Shqipëria as nuk e ka e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo të tutorit mendorit që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë. Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë por për të dëgjuar nga të gjithë opinionin e tyre këndvështrimin e tyre”, shtoi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se komunikata e ashtuquajtur nga Gjykata Speciale, ishte fletërrufe e ngjashme si ajo e revolucionit kinez.
“Për mua ishte një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me komunikatat publike përgjatë revolucionit kinez, një shfaqje që e kemi përjetuar në Shqipërinë e diktaturës është e pashembull dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj që përmban një arsye pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm ose i qëllimshëm në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë”, tha Rama.
Sigurisht, shtoi kryeministri shqiptar, që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është një vijim i përpjekjeve me shumë stacione por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-së dhe në këtë aspekt, tha ai, “më vjen mirë të them që është privilegj të jesh në pozicionin që jam unë”.
”Dua ta bëjë shumë të qartë që më vjen sinqerisht keq kur shoh në reagime të ndryshme e këtu flas për reagime të nivelit qytetar se si helmi i jetës se përditshme politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare dhe ndikon që të moskuptohet por të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb e që nuk lidhet as me dy persona e nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo me të metat e tyre në kohë paqeje nuk lidhet as me simpatitë bindjet mbështetjet apo kundërshtitë politike të natyrës zgjedhore por lidhet me një prej vlerave me të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar që është vlera për liri të luftës së Kosovës pjesë e së cilës në mënyrë vendimtare është ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Rama.
“Për dy dekada, në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, mbështetu e zhvilluar si proces i pandashëm nga procesi i shtetndërimit, pajtimit, e integrimit evropian, madje edhe procesit të dialogut”, shtoi tutje Rama.
BASHKËPUNIMI EKONOMIK
Rama gjithashtu ka shtuar se nga sot hyn në fuqi zbatimi i marrëveshjes së përbashkët energjetike.
“Më vjen mirë që para largimit nga Prishtina kemi marr një lajm shumë të mirëpritur të hyrjes në funksion të rrjetit të përbashkët dhe për interkoneksionin falë edhe përfshirjes përfundimisht të Kosovës në tregun e përbashkët energjetik. Është një lajm i gëzueshëm sepse e dimë shumë mirë se sa kohë na është dashur të presim edhe kur bëmë investimin e madhe pastaj kur e përfunduam atë. Nga sot hyn plotësisht në funksion”, tha Rama.
Sot, Rama është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli si dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka cilësuar takimin me kryeministrin Rama të frytshëm dhe përmbajtësor.
Ndërkohë, nuk është takuar me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hradinaj.
Ky i fundit, u shpreh se ka refuzuar takimin.
“Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama”, është shprehur ai.
Dje Rama takoi edhe udhëheqësit e institucioneve dhe partive më të mëdha politike. Ai nuk u deklarua për mediat, kurse në një postim në Twitter ka shkruar se ka ardhur në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli. Ai e ka cilësuar këtë aktakuzë si “njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë”.