Hoti takon Macron: Franca e përkushtuar për dialogun me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një takim në Paris me Presidentin e Framcës, Emmanuel Macron.
Takimi është mbajtur pak ditë para se Franca dhe Macron të jenë nikoqirë të takimit të ardhëhëm në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës”, ka thënë Hoti.
Franca, sipas tij, mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve.
“Po ashtu, arritëm dy marrëveshje të rëndësishme me Francën, atë të shkëmbimit të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme dhe mundësinë e punësimit të familjarëve të diplomatëve të Francës dhe Kosovës”, ka nënvizuar kryeministri.
“Jam i lumtur që Presidenti i Francës Macron e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë, e cila vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron”, ka thënë Hoti.
Me nismën e presidentit francez Macron dhe kancelares gjermane Merkel, më 10 korrik, zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë. Kurse më 12 korrik në Buksel takohen Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuciq.