Saturday, June 25, 2022

Vendosni Kosovën në hartë: Peticioni drejtuar Apple

Një peticion, i publikuar ditën e premte, po kërkon që Apple Maps të vendosë kufijtë ndërkombëtarë mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe të shënojë emrin e Kosovës në hartë. Vija kufitare që ndan dy vendet në Apple Maps, është vizualisht ndryshe nga ato të përdorura për të ndarë kufijtë e vendeve të tjera, duke e bërë kështu Kosovën të duket si pjesë e Serbisë dhe duke mos shënuar emrin e saj në hartë, por vetëm atë të Prishtinës. Peticioni me emër “Vendoseni Kosovën në Apple Maps” ka fituar afër 50.000 nënshkrime një ditë pas postimit të tij në internet.

“Është shumë shqetësuese që Kosova nuk shfaqet në Apple Maps. Vështirë se mund të shihen kufijtë e saj dhe gjëja më e keqe është se tregohet si pjesë e Serbisë. Kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt, sepse Kosova ka qenë një vend i pavarur që prej vitit 2008.”

Kujtojmë se Serbia nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.

Nëse krahasojmë dy hartat, atë të Google dhe Apple, vihen re disa diferenca të dukshme. Së pari, në të dy hartat, kufiri i Kosovës nuk është i njëjtë me atë të vendeve të tjera. Në hartën e Apple, ka një ngjyrim rozë të lehtë, që thuajse nuk duket dhe nuk është vendosur emri “Kosovë”, por vetëm Prishtinë, disa qytete të Serbisë dhe “Serbi”. Ky shënim krijon idenë se Prishtina është një qytet i Serbisë dhe Kosova nuk duket gjëkundi.

Në hartën e Google, ndarja kufitare është më e theksuar, por me vija të ndërprera. Sipas The Economist, vendosja e kufirit të një vendi në hartë, bëhet kështu kur ka kufij “të diskutueshëm” mes vendeve, si në rastin Kosovë-Serbi, pra është një mënyrë e të qenit politikisht korrekt me të dy vendet. Gjithsesi, emri i Kosovës duket qartazi në hartë dhe mund të dallohet se kemi të bëjmë me dy shtete të ndryshme. Ndërkohë, nuk ka ende një sqarim apo përgjigje për mënyrën se si (nuk) shfaqet Kosova në hartë, nga Apple Maps.Vendosni Kosovën në hartë: Peticioni drejtuar Apple

NË TË MAJTË: HARTA E GOOGLE/NË TË DJATHTË: HARTA E APPLE

Së fundmi, një problem të ngjashëm ka patur edhe Palestina. “Free Palestine”, po bëhet virale në Twitter, pasi njerëzit kanë vënë re se vendi nuk figuron në hartat e Google dhe Apple. Në fakt, që në 2016-ën, një prej zëdhënësve të Google, është shprehur se për shkak të një gabimi, Bregu Perëndimor, Gaza dhe Palestina janë zhdukur nga harta. Ai tha se Google po punonte për t’i vendosur sa më shpejt në hartë, por sot, 4 vite më vonë, interneti shpërthen për po të njëjtin problem. Pra, Google, nuk e hoqi Palestinën nga harta, pasi një etiketë me emrin “Palestinë”, nuk ka qenë ndonjëherë aty.

– Për realizimin e këtij artikulli, u morën pjesërisht materiale nga: The Economist, Engadget & Exit News

- Advertisment -

Lexoni