Në takimin e së enjtes në Bruksel është paralajmëruar se do të draftohet marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë.

Por, Kosova ende nuk ka një emër se kush do ta përfaqësojë atje, pasi që ende nuk e ka emëruar koordinatorin shtetëror për dialogun.

-Advertisement-

Në anën tjetër, nga Bashkimi Evropian thonë se takimi i së enjtes do të jetë në nivel të ekspertëve.

Sipas BE-së, ata do të shqyrtojnë çështjet e diskutuara nga kryeministri Avdullah Hoti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e fundit, të mbajtur më 16 korrik.

“Siç u njoftuat nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Miroslav Lajçak, pas takimit të nivelit të lartë të javës së kaluar, të dy udhëheqësit ranë dakord që të vazhdojnë të punojnë intensivisht në nivelin e ekspertëve tashmë javën e ardhshme”.

“Kjo do të zhvillohet në Bruksel. Kosova dhe Serbia janë të ftuara të dërgojnë ekspertët e tyre për të trajtuar më tutje çështjet e diskutuara tashmë në nivelin e liderëve të enjten e kaluar. Ne nuk do të ndajmë informacione të mëtejshme për një takim në nivelin e ekspertëve”, ka thënë Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Punë të Jashtme e Politika të Sigurisë.

E dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentit Hashim Thaçi, duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lidhur me bisedimet mes dy shteteve dhe lëvizjet e fundit rreth tij kryeministri Avdullah Hoti pritet të raportojë të premten në orën 12:00 para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë rifilloi javën e kaluar, më 16 korrik, pas rreth 20 muajsh ndërprerjeje.