Nëse e keni gjithnjë me nxitim: Disa ide mëngjesesh të shpejta
Mëngjesi është një prej vakteve dhe momenteve më të rëndësishme të ditës. Fatkeqësisht jo të gjithë janë “njerëz mëngjesi”, prandaj shumë prej nesh mund ta gjejnë veten duke vrapuar për në punë, për të çuar fëmijët në shkollë a diku tjetër, duke lënë kështu pas dore, vaktin më të rëndësishëm të ditës: mëngjesin. Megjithatë, ka disa ide se si mund të mos shpenzoni shumë kohë në kuzhinë dhe përsëri rezultati të jetë një mëngjes i bollshëm.
Disa këshilla:
– Përgatite “ditën” që në mbrëmje
Nëse tashmë e keni pranuar faktin që zgjimi herët nuk është momenti i preferuar i ditës, planifikojeni atë që në mbrëmjen e një nate para. Përveçse të bëni gati veshjet, aksesorët e çdo gjë tjetër, përgatisni edhe disa elementë të mëngjesit, p.sh: nëse do të bëni një lëng frutash, pritini frutat në copa të vogla që në mbrëmje dhe vendosini në frigorifer.
– Ji sa më praktik
Nëse koha nuk ju premton shumë, mos humbisni kohë për të krijuar një pjatë të bukur, mjafton t’ju shijojë ajo që do të konsumoni.
Ide mëngjesesh:
– Pancakes të shpejta
Nëse nuk keni kohë të gatuani receten me shumë përbërës të pancakes, provoni të bashkoni një vezë dhe 1 banane të shtypur e më pas vendosini në tigan. Do të keni pancakes në një kohë shumë më të shkurtër dhe mund t’i shoqëroni me çfarë t’ju gjendet në shtëpi.
– Cheesy egg toast
Nëse doni një mëngjes pak më ndryshe se “buka me vezë” tradicionale që me siguri e keni provuar të gjithë, mund të bëni diçka tjetër, po aq të thjeshtë. Bukë me vezë të skuqur në mes dhe (nëse doni) djathë pice ose chedar, të grirë rreth saj. E shpejtë dhe e shijshme.
– Smoothies
Lëngjet e shtrydhura kur nuk keni kohë as të konsumoni diçka për të ngrënë mund të jenë një zgjidhje e mirë. Mund të përzieni: banane, qumësht, mjalt dhe pak akull, për më shumë energji gjatë ditës.
– Tërshëra
Tërshëra ju jep një ndjesi të lehtë fryrjeje, prandaj me të do të ndiheni të ngopur për një kohë të gjatë. Përzieni kos me tërshërë dhe nëse doni mund t’i shtoni fara chia, fruta të thata, copëza çokollate etj.
– Omletë më perime
Zgjidhni perimet tuaja të preferuara, të cilat supozohet t’i keni prerë në copëza të vogla një natë më përpara dhe vendosini në omletë gjatë përgatitjes. Shumë energji gjatë gjithë ditës.
– Omletë me djathë
Nëse ju pëlqen të konsumoni shpesh bulmet, vakti i mëngjesit është koha më e mirë për ta bërë këtë. Një ide është omleta me djathë të shkrirë.
– Vezë e zier dhe një frut
Mund ta zieni vezën që në mbrëmje dhe ta konsumoni atë të nesërmen.
– Drithëra me qumësht dhe mjalt
Përzieni drithërat tuaj të preferuara me qumësht dhe mjalt (nëse doni). Pjatë e shpejtë dhe e shijshme.