“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
VV-ja konsideron se Thaçi po tenton t’i fshehë gjurmët në rastin e Deharit
Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi për media ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po tenton t’i fshehë gjurmët për rastin e vdekjes së aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.
Ky reagim vjen pasi mediat kishin raportuar se i dyshuari për vrasje të dyfishtë, Luz Allaku, të cilit presidenti ia ka falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 vjet në total sa ishte dënuar, është dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Prokuroria të jetë aktive dhe e vëmendshme dhe të mos lejojë fshehjen e gjurmëve për rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Vrasësit dhe nxitësit ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Dëshmitarët kryesorë të rastit ose janë falur e liruar nga burgu pavarësisht veprave të rënda për të cilat kanë qenë të dënuar, ose nuk janë më gjallë, si rasti i të ndjerit Naser Makolli. Ndërkohë këto ditë presidenti i ka lehtësuar dënimin për tre vite e gjysmë Luz Allakajt, të dënuar për vrasje të një fëmije, por që i njëjti është edhe dëshmitar në rastin e Astrit Deharit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, që ka vazhduar me disa pyetje për rastin.
“Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës?”
Sipas Vetëvendosjes, mundësitë për hetimin e rastit po “pluhurosen e fshihen edhe qëllimisht nga dita në ditë”.
“Së fundi, pas lirimit me kusht të njërit dëshmitar të rastit, presidenti i vendit ia fali edhe 3 vite e gjysmë dëshmitarit tjetër të rastit Luz Allakaj i cili ishte i dënuar për vrasje të dyfishtë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një të mituri 13 vjeçar. Dje deputetët tanë kërkuan nga zyra e presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimin në këtë rast, jemi në pritje të tij. Ndërkohë i bëjmë thirrje prokurorisë që të jetë aktive dhe e vëmendshme për këto veprime të secilës instancë që po provon t’i fsheh gjurmët për rastin e vrasjes së Astrit Deharit, përfshirë edhe presidentin që rastin e Astrit Deharit e ka deklaruar si vrasje. Po të merrej prokuroria me provat e rastit, dëshmitarët dhe palët ndërhyrëse në këtë proces me zellin e njëjtë që merrej ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj do të përafrohej drejtësia më herët dhe rasti do të zgjidhej”, thuhet më tej në reagimin e VV-së.
Luz Allaku ishte intervistuar më datën 10 nëntor të vitit 2016, pesë ditë pas vdekjes së Deharit. Asokohe, sipas dëshmisë, Allaku kishte dhomën afër asaj të Deharit. E ka konfirmuar vetë në deklaratën e tij dhënë policisë. “Unë Luzë Allakaj në lidhje me vrasjen e Astrit Deharit deklaroj: Më datë 05.11.2016, në orën 14 kemi dalë në shëtitje dhe në orën 15 jemi kthy në dhoma, që gjendeshin në korridorin e krahut A. Unë gjendesha në dhomë me Gj.K, N.Sh dhe K.G në dhomën A 6”, thuhet në procesverbalet që ka siguruar koha. Allaku ishte ndër të burgosurit e parë që kanë hyrë dhe e kanë parë në dhomë Deharin.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Astrit Dehari, para 4 vjetësh është gjetur i vdekur në qelinë e tij. Institucionet e Kosovës, e patën cilësuar vetëvrasje, por një ekspertizë mjekoligjore e kryer në një institut mjekësor në Lozanë të Zvicrës pati ngritur dilema edhe për opsione të tjera në këtë rast.