Nëse Shqipëria do sul’mohej si Ukraina, sa kohë do rezistonte me ar’matimet e veta?
Dialogu Kosovë-Serbi – Çfarë do të diskutohet në takimin në Bruksel
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për çështjet ekonomike në SHBA, Kosova dhe Serbia do të vijojnë tashmë diskutimet në Bruksel.
Këtë të diel, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, është takuar në selinë e Shërbimit të Jashtëm të BE-së me përfaqësuesin e Serbisë, Marko Gjuriç, me të cilin kanë diskutuar tri tema kryesore, respektivisht për: çështjen e të pagjeturve, çështjen e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.
Zoti Hyseni ka folur për mediat, ndërsa ka dhënë detaje të reja për frymën që mbizotëroi në takim e sotëm.
Ai theksoi se diskutimet me palën serbe kanë qenë konstruktive duke theksuar faktin se kjo i shërben qëllimit final, që sipas Hysenit, është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi afër, domethënë sot kanë qenë pak më konstruktive këmbimet, qëndrimet dhe mendimet. Sidoqoftë, ka mbetur shumëçka që të rrumbullakohen nesër në nivel të lartë. Sonte do të diskutojmë edhe veç e veç çështjet që kanë mbetur pak më kontestuese, por sidoqoftë ka një përafrim të dukshëm të qëndrimeve, për ato që unë po i quaj elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, tha ai.
Zoti Hyseni theksoi se nuk po diskutohet për marrëveshje të veçanta me Serbinë, por shtoi se këto janë zotime parimore, për të cilat palët e përfshira në dialog duhet t’u qasen në mënyrë mirëbesimi sipas marrëveshjes së firmosur në SHBA.
“Po, sërish po e theksoj që mos të ketë asnjë keqkuptim apo keqinterpretim: nuk bëhet fjalë për marrëveshje të veçanta, por janë zotime parimore që këtyre temave t’u qasemi në një ambient mirëbesimi pas nënshkrimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.
I pyetur se cilat janë temat që priten të diskutohen nesër në Bruksel, koordinatori Hyseni tha se ky proces nuk paragjykon asnjë temë, ndërsa pohoi se Kosova është e gatshme të diskutojë çdo çështje, përfshirë edhe atë të Asociacionit.
“Në takimin e parë në nivel të lartë ka pasur një dakordim që të diskutohen pretendimet financiare nga të dyja palët, ndërkaq për asociacionin ne nuk jemi në dijeni. Ky është një tip dialogu, që nuk paragjykon ose nuk para përjashton mundësinë që secila palë të nxjerrë ndonjë temë ne tavolinë, dhe natyrisht, ne jemi të gatshëm dhe të trajtojmë çdo temë që del në tavolinë”, tha ai.
Koordinatori vlerësoi gjithashtu unitetin që po tregojnë SHBA dhe Bashkimi Europian në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Ky bashkëpunim ka ekzistuar çdo herë, dhe unë në udhëtimet e mia para tri apo katër javësh në Uashington, Paris apo Berlin e kam konstatuar këtë, sepse një prej qëllimeve të udhëtimeve ka qenë pikërisht përpjekja që të ketë një koordinimin sa më të mirë dhe kjo i ndihmon të dyja vendet. Ne kemi takim tani pas pak minutash me kryeministrin Hoti, me Lajçak dhe Palmer, i cili ishte sot në të njëjtin aeroplan nga Uashington”, përfundoi Hyesni.