Në pandemi u morën më pak kredi në Kosovë, diaspora rriti remitencat
Situata e rënduar ekonomike si pasojë e pandemisë së koronavirusit ka ulur kërkesat për kredi në Kosovë dhe ka shkaktuar rënie te sektori i sigurimeve. Megjithatë, në kohë pandemie “shpëtimi” u gjet te diaspora që ka rritur ndjeshëm remitencat.
Që nga marsi e deri në korrik, afro 550 milionë euro është shuma e kredive që janë marrë nga qytetarët, bizneset e ndërmarrjet në Kosovë. Kjo shifër, megjithatë, është më e ulët se ajo e vitit të shkuar për rreth 130 milionë euro. Më 2019, në periudhën e njëjtë ishin dhënë mbi 680 milionë euro kredi në Kosovë.
Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje për KOHËN, ka bërë të ditur se pa përfshirë kreditë e marra për mbitërheqje dhe linja kreditore, shuma e kredive të reja për këtë periudhë është 547.8 milionë euro.
Nga kjo shumë, 175.7 milionë euro janë kredi për ekonomitë familjare, 40.6 milionë euro janë kredi të reja hipotekare. Ndërkaq, vlera e kredive të reja që janë dhënë nga bankat për ndërmarrjet nga muaji mars deri në korrik 2020 është 372 milionë euro.
Rënie ka shënuar edhe sektori i sigurimeve. Që nga janari në qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar rezulton se sektori i sigurimeve ka shënuar rënie nën masën prej 4.06 për qind.