“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan, çfarë realisht ngjau para 635 vjetësh?
Nëna që u detyrua ta lë në det foshnjen e saj të vdekur
Në Liban kohët e fundit ka filluar një valë migrimi i paligjshëm me shpresën për të mbërritur në Evropë përmes Qipros, pasi vendi po përjeton një prej krizave më të mëdha ekonomike në historinë e tij.
MAHMUT GELDİ
Nëna libaneze e cila u nis me shpresën për të mbërritur në Evropë pasi la pas kushtet e vështira në vendin e saj dhe e cila mbeti e detyruar të lë në det foshnjen e saj të vdekur përgjatë përpjekjeve për mbijetesë në Mesdhe, tha se shpëtuan falë ushtarëve turq pas disa ditësh qëndrimi në det, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Liban kohët e fundit ka filluar një valë migrimi i paligjshëm me shpresën për të mbërritur në Evropë përmes Qipros, pasi vendi po përjeton një prej krizave më të mëdha ekonomike në historinë e tij.
Por këto kalime që kryhen në mënyrë të jashtëligjshme, shpeshherë u kushtojnë jetën emigrantëve të parregullt.
Këtë situatë fatkeqe e dëshmojnë në mënyrë të dhimbshme edhe 50 emigrantët e parregullt të cilët hipën në një anije në qytetin Tripoli në veri të vendit për të udhëtuar drejt Evropës. Emigrantët u bllokuan në det duke qëndruar 8 ditë pa ujë dhe pa ushqim pasi humbën rrugën dhe pasi i mbaroi karburanti anijes.
Korveta turke TCG Bozcaada shpëtoi emigrantët
Korveta turke TCG Bozcaada, e cila është me detyrë në misionin e përkohshëm të paqes të Kombeve të Bashkuara për Libanin (UNIFIL), shpëtoi grupin e emigrantëve prej 36 personash të cilët dëshmuan humbjen e 10 personave që u hodhën në det me shpresën për të shpëtuar duke notuar drejt tokës dhe në mesin e të cilëve 4 persona humbën jetën.
Zeynep el-Kak, një nga emigrantet që u nisën në Mesdhe në rrugë të paligjshme nga Tripoli dhe të cilët u shpëtuan falë kujdesit të personelit të korvetës turke TCG Bozcaada, shpjegoi me lot në sy për gazetarin e AA-së historinë e saj të dhimbshme.
Nëna el-Kak tregoi vështirësitë dhe varfërinë e madhe të tyre, saqë nuk mund të sigurojë edhe qumështin për foshnjen e saj. Ajo theksoi se biseduan me bashkëshortin çështjen për të vajtur në Qipro me shpresën për një jetë më të mirë.
“Shitëm shtëpinë dhe të gjitha gjërat për të shkuar në Qipro. Më pas këto para ia dhamë atyre që do na dërgonin, ku dhe më pas ndodhi kjo gjë”, tha nëna nën dhimbje, duke shtuar se bashkë me burrin dhe fëmijët hipën në një anije me gjithsej 50 persona.
“Kisha 3 vajza dhe një djalë, ndërkohë humba djalin. Kemi mbetur unë burri dhe 3 vajzat”, tha nëna el-Kak duke shtuar se në këtë rrugë u nisën për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.
Ajo rikujton se personi me të cilin bisedoi burri i saj, pas një ose dy ditësh i ka hipur në një anije në rajonin Minye të Tripolit, duke shtuar: “Në anijen në fjalë do të na mbuloheshin të gjitha nevojat për ushqim dhe të tjera. Kapiteni ishte pranë nesh dhe kur e pyeta nëse di ta drejtojë anijen më tha që po. Por kur i dhanë një busull as atë nuk mundi ta përdorë. Pavarsisht se kishte busëll në dorë vazhdoi të ecë për një kohë të gjatë. Telefonuam njeriun që na nisi dhe i thamë se kemi humbur”
“Edhe ai na tha se duhet të vazhdojmë duke i kthyer shpinën diellit. Këtë herë lundruam në këtë drejim me shpinë nga dielli duke bërë një rrugë të gjatë por përsëri nuk mbërritëm në ndonjë vend. Më pas na mbamaroi karburanti dhe mbetëm të pashpresë në mes të detit”, tregon ajo.
“Trupin e pajetë të djalit e lamë në det”
Pas dy ditëve qëndrim në mes të detit humba para syve djalin e dajës, ndërkohë që edhe djali im 2 vjeçar humbi jetën në ditën e tretë, tregoi el-Kak, duke shtuar: “Në ditën e tretë përjetuam vdekjen e djalit. Na mori etja, djali qante me të madhe, kërkonte ujë, po ashtu edhe fëmijët e tjerë qanin nga uria dhe etja. Nuk kishim asgjë çfarë t‘u jepnim. Djalin tim e zuri temperatura dhe për dy ditë nuk e hoqa nga dora, i vendosa leckë të lagur për t’ia ulur temperaturën. Por e humbëm atë”.
Ajo rikujton se djalin e kanë qefinosur me copa të veshjeve, duke shtuar: “Trupin e pajetë të djalit e lidhëm me një fije në anije. Qëndroi në ujë për dy ditë lidhur me anijen. Ndërsa më pas burri më tha se nuk mund të vazhdojmë më në këtë mënyrë, nëse e lëmë mund të shpëtojmë ndoshta falë tij. E lëshuam trupin e pajetë të djalit në det. Po ashtu edhe të tjerët që humbën jetën më pas u lanë në të njëjtën mënyrë në det”.
“Na shpëtuan ushtarët turq”
Nëna el-Kak thotë se për 8 ditë kanë bërë pëpjekje për të pikuar në gojë ujë me rrobat e foshnjes që humbi jetën dhe pas 8 ditësh janë përballur me një anije ushtarake që kishte flamurin turk.
“Kur shikuam anijen filluam të kërkojmë ndihmë me britma dhe anija turke ndali shpejtësinë pasi arriti të na dallojë. Në këtë mënyrë na shpëtuan ushtarët turq”, deklaroi el-Kak.
Duke rrëfyer me dhimbje se gjithsej 4 persona humbën jetën në anije, se kanë pritur për disa ditë të etur dhe të uritur, lidhur me ushtarët turq ajo thotë:
“Ishte ushtria turke ajo që na shpëtoi, ndërkohë që ushtria libaneze na la në det për 8 ditë. Ku janë roja bregdetare, ku janë njerëzit në det? Njerëzit emigrojnë përpara syve të rojës bregetare. Lundruam për orë të tëra, nuk kishte askush. Deri sa erdhën ushtarët turq nuk kishte askush, erdhën ushtarët turq dhe na nxorrën. Çfarë mund të bënim nëse nuk do vinin ushtarët turq? I shpreha falenderimet dhe lutjet e mia (presidentit Recep Tayyip) Erdoğan-it, madje iu luta ushtrisë turke që të na merrnin edhe ne me vete”.
“Lëshojnë në det foshnjen e pajetë me shpresën se dikush e shikon dhe i shpëton”
Ndërkohë edhe Adnan Bahri İsmail, gjyshi i Sufyan Muhammed, një tjetër foshnje që humbi jetën në anije, shpjegoi se dhëndërri për shkak të krizës ekonomike në Liban nuk mund të përballonte më jetesën e familjes dhe mori para borxh për të shkuar në Evropë nëpërmjet Qipros.
U nisën në këtë rrugë bashkë me vajzën dhe familjen me shpresën për në jetë më të mirë në Evropë, tha Ismail i cili shpjegoi se e kishte pyetur dhëndërrin nëse ishte i besueshëm apo jo njeriu që po i dërgonte, për çka mori përgjigje pozitive.
Përgjatë dy ditëve pas nisjes nuk kishim asnjë lajm për vajzën dhe nipin, deklaroi Ismail i cili shtoi: “Në fillim menduam se kanë arritur në Qipro por më pas filluam të dyshojmë. Pas kësaj kontaktuam disa njerëz nga Qiproja dhe morëm lajmin se nuk kishin mbërritur atje”.
“Pasi u nisën natën, u mbaroi karburanti dhe fëmijët filluan të ndërrojnë jetë. Nuk kishin as ujë dhe as qumësht. Foshnjet që vdiqën njëri pas tjetrit u lanë në det duke i lidhur me fije me shpresën se dikush mund t’i shohë dhe i shpëton. Pas disa ditësh një nga të rinjtë në anije shikon që afër tyre po kalonte një anije e cila pas britmave afrohet dhe vërehet se ajo ishte një anije turke. Një anije ushtarake turke e cila i shpëton”, tregon Ismail historinë që vajza e tij i kishte treguar.
Duke vënë theksin se edhe ata vetë janë me origjinë turke dhe se nëna e tyre është nënshtetase turke, Ismail thotë: “Informuam autoritetet libiane për humbjen e anijes që transportonte emigrantët por nuk morëm ndonë përgjigje. Presim ndihmë nga Turqia”.
Ngjarja në fjalë bëri një jehonë të madhe në rrjetet sociale. Përdoruesit e kanë krahasuar këtë ngjarje me ngjarjen e sirianit 3 vjeçar Alan Kurdi që humbi jetën në vitin 2015 duke u mbytur me nënën dhe vëllain e tij gjatë përpjekjes për të kaluar me familjen në Greqi me gomone. Për foshnjen e re, trupi i të cilit u hodh në Mesdhe, ata përdorën shprehjen “Alani libanez”.
Kriza ekonomike në vend
Libani, i cili ka borxh publik që tejkalon 90 miliardë dollarë, po përjeton një prej krizave më të mëdha ekonomike që nga luftërat e brendshme gjatë viteve 1975-1990.
Pëveç papunësisë që ka arritur në 35 për qind dhe ku varfëria është mbi 50 për qind, Libani hyri në një siutatë edhe më të vështirë pas shpërthimit të madh që ndodhi muajin e kaluar në portin e Bejrutit.