Rezoluta për Srebrenicën, Vuçiç në alarm: Gjermania dhe SHBA po lobojnë fuqishëm për ta miratuar,
Faton Klinaku: E kemi për detyrë diskreditimin Gjykatës Speciale
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit në Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë për Euronews Albania në emisionin “Balkan Talks” foli rreth ngjarjes së paprecedentë që ndodhi teksa EULEX bastisi zyrat e OVL-UÇK.
Ai ju referua ngjarjes së ndodhur si të paligjshme duke qenë se Gjykatës Speciale i ka mbaruar mandati dhe policia e EULEX-it nuk ka mandat ekzekutiv por të kufizuar. Sipas tij prezentë duhet të kishte qenë edhe Policia e Kosovës nëse operacioni do të kryhej.
“Ndodhi për arsye se me thënë të drejtën se këta deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar një Gjykatë Speciale që për ne është një-etnike dhe është e papranueshme qysh prej themelimit të saj dhe po ashtu ne nuk e njohim tani dhe nuk do ta njohim as në të ardhmen.” – u shpreh Faton Klinaku.
OVL-UÇK ka bërë një kërkesë në strukturat e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit të Dhomave të Specializuara që ende nuk është marrë në konsideratë duke theksuar që nga veprimet e bëra së fundmi shihet që kjo Gjykatë është edhe mbi shtetin.
Z.Klinaku sqaroi se për ta arrestimet e bëra nuk janë gjë tjetër veçse rrëmbime sepse sipas tyre çdo arrestim i bërë në mënyrë të paligjshme është rrëmbim.
Gazetari Franko Egro gjatë intervistës citoi dhe deklaratën e Gjykatës Speciale se përse është arrestuar Gucati:
“Z. Gucati arrestohet sepse ka shkelur kodin penal të Republikës së Kosovës.”
Sa i përket kësaj deklarate Klinaku tha se përveç tyre askush tjetër nuk ka shkelur kodin penal duke përmendur se arrestimet dhe bastisjet mund t’i kryejë vetëm Policia e Kosovës.
Pyetur për shantazhet dhe kërcënimeve që mund tu jenë bërë dëshmitarëve Klinaku ka mohuar në mënyrë kategorike që ata mund të kenë të bëjnë me këto shantazhe aq më tepër kur ata nuk i kanë publikuar emrat e dëshmitarëve.
“Vetë fakti që njerëzit dërgohen në zyrën e Prokurorisë së Serbisë që të japin dëshmi është një kërcënim ndër vete. Domethënë shantazhet dhe kërcënimet i ka bërë vetë kjo gjykatë”,- theksoi ai.
Ndërkaq nuk la pa përmendur se që prej themelimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015 anëtarët e OVL-UÇK janë armiq të shpallur të kësaj Gjykate.
Sa i përket qëndrimit të tij për akuzat kundrejt Thaçit dhe Veselit, kryetari aktual i OVL-UÇK tha se ka të njëjtin qëndrim si për çdo veteran tjetër lufte. Ndër të tjera ai mendon se si Thaçi si Veseli do të duhet t’i kishin menduar këto çështje që në momentin që e aprovuan këtë Gjykatë.
“Ja pafshin hajrin,” – tha Klinaku duke cituar fjalët e Nasim Haradinaj teksa fliste edhe për veteranë luftë që kanë qenë pro Dhomave Speciale.
Pyetur nëse ishte dakord me epitetin “faqezinj” që Haradinaj ka përdorur drejtuar shtresës politike në Kosovë, Faton Klinaku nuk ngurroi të shtonte dhe mjeran për të gjithë ata që mbështesin një gjykatë njëetnike.
Një tjetër pikë për të cilën u diskutua ishin dhe dosjet e dala nga Gjykata Speciale.
“Opinioni më herët kur kanë sjellë personat dosjet që neve na kanë akuzuar kanë thënë se dosjet kanë ardhur nga Serbia, dosjet i ka përgatitur Serbia mirëpo në ato që kemi parë ne, e kemi ditur që Serbia në këtë kohë nuk e fillon luftën kundër kësaj Gjykate sepse Serbisë i intereson kur të gjykohen shqiptarët, kur të gjykohet UÇK-ja, pastaj në të ardhmen mund t’i interesojë që të publikojë këto për hir të përplasjes apo vëllavrasjes të popullit shqiptar,” – u shpreh Klinaku.
Nëse vijnë CD me materiale ashtu siç është thënë Faton Klinaku tha se do t’i nxjerrin para medias dhe nëse e arrestojnë nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse do të mbledhin edhe njëherë Këshillin Drejtues për tu caktuar personi përgjegjës për vijimin e punës.
Së fundmi kryetari aktual i OVL-UÇK u shpreh se nuk i frikësohet asnjë arrestimi të mundshëm sa i përket periudhës së luftës sepse ai si pjesëtar i luftës siç shprehet dhe vet ka bërë diçka legjitime duke luftuar pushtuesin.