Rezoluta për Srebrenicën, Vuçiç në alarm: Gjermania dhe SHBA po lobojnë fuqishëm për ta miratuar,
Kushtet e PDK-së për t’u bërë pjesë e Qeverisë: Presidenti dhe katër ministri
Posti i presidentit, ai i zëvendëskryeministrit të parë, dhe katër poste ministrore me disa pozita tjera nënministrore, paraqesin kërkesat “minimale” të Partisë Demokratike të Kosovës për përfshirje në qeveri.
Ndryshimi i formulës qeverisëse, sipas burimeve të Republika Post, mund të bëhet edhe me kushtin që AAK-ja e Ramush Haradinajt në dalë nga Qeveria Hoti. Madje në rast se AAK braktisë koalicionin për shkak të hapësirës së madhe që e kërkon PDK-ja në pushtet, atëherë PDK do të kërkonte edhe nja apo dy ministri tjera, pasi që LDK-ja e ka pozitën e kryeministrit.
E në rast se LDK-ja nuk shpreh ndonjë interesim për t’i ofruar PDK-së hisen që e kërkon në qeverisje, atëherë zgjedhjet mbeten opsioni i vetëm, thonë të njëjtat burime.
Në anën tjetër, PDK me hyrjen e saj në koalicion, mësohet nga të njëjtat burime, do të duhej të ndryshonte pozicionin e saj karshi Marrëveshjes së Uashingtonit, duke e pranuar atë dhe duke u zotuar se do ta zbatojë, sipas zotimeve që i ka dhënë kryeministri Hoti me nënshkrimin e saj në Shtëpinë e Bardhë.
Nevoja që të bëhet riformatimi i qeverisë, po shihet nga dy aspekte. Së pari, qeveria aktuale e kryesuar nga Avdullah Hoti e ka humbur shumicën në Kuvend dhe nuk po ka fuqi vendmimmarrëse për asnjë vendim të rëndësishëm. Dhe së dyti, fakti që presidenti Hashim Thaçi mund të përballet eventualisht me konfirmimin e aktakuzës nga Gjykata Speciale, me çka pozita e presidentit do të mbetej e zbrazët dhe do të kërkohej një konsensus politik për presidentin e ri, i cili zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.
Por, edhe në rast se nuk i konfirmohet aktakuza, presidentit i skadon mandati për pak muaj, përkatësisht në fillim të pranverës së ardhshme.
Deri më tani, AAK-ja ka shprehur hapur pretendimin për pozitën e presidentit, duke i dhënë mbështetje politike liderit të saj Ramush Haradinaj si kandidati i vetëm që do t’i marrë votat e kësaj partie për president. Kurse PDK është shprehur se nuk mund të flas në këtë moment për pozitën e presidentit, përderisa Thaçi është në atë pozitë.