Selimi konfirmon aktakuzën, udhëton për në Hagë
Një prej figurave kryesore të luftës së fundit në Kosovë, Rexhep Selimi ka konfirmuar se ka aktakuzë ndaj tij, nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka thënë se të enjten do të udhëtojë në Hagë.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, ka shkruar shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Selimi është zyrtari i dytë i lartë i UÇK-së që të mërkurën iu konfirmua aktakuza nga Specialja. Para tij, sot, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, është transferuar për në Hagë.