Hoti: Veriu i vendit të mos përdoret për qëllime të fushatës
Të gjitha partitë politike po mundohen që të përfitojnë dhe ta kthejnë në fushatë zgjedhore vizitën e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në veri të Koosvës. Kryesisht, po mbizotërojnë kritikat ndaj Kurtit e Osmanit se shkuan në veri dhe u kthyen, duke turpëruar shtetin e Kosovës, edhe pse kjo pjesë e vendit ishte dhe mbetet në kufijtë e Kosovës, po ku për më gjatë se 20-vjet Serbia përmes strukturave lokale serbe ka kontrollin e vet.
Ndërsa ka bërë homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili i prinë LDK-së në gazrën zgjedhore ka komentuar këtë vizitë.
Kryeministri në detyrë tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesja e detyrës së presidentes nuk duhet ta shfrytëzojnë vizitën në veri për fushatë, që të tregojnë “diçka që nuk është”.
“Unë besoj që disa kauza, disa çështje duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore. Ai është një territor i Kosovës pa asnjë dyshim dhe nuk kontestohet në asnjë formë. Secili ka të drejtë të lëvizë në katër anët e Kosovës, por nuk duhet të përdoret në asnjë moment për fushatë dhe për të tregu gjëra që nuk qëndrojnë dhe nuk ekzistojnë”, tha Hoti.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani vizituan dje minierën “Trepça” në veri, ndërsa u raportua se kjo vizitë u ndërpre pas një reagimi i serbëve lokalë.
Por, Vetëvendosje e ka demantuar këtë lajm, duke thënë se vizita u realizua në tërësi pavarësisht pengesave të disa serbëve lokal, të cilët i pritën ata me fyerje e brohoritje nacionaliste.