“Buzëqeshin” Milani dhe Juventusi, Zirkzee kushton më pak seç mendohej
Njohja me kusht nga Izraeli/ Kosova ndan BE-në me SHBA-në
Ndërsa në Kosovë po përjetohet si festë, njohja nga Izraeli me kushtin e vendosjes së ambasadës në Jeruzalem, është një frut që e ka bishtin mbrapa.
Ajo ka shkaktuar një çarje qëndrimesh mes BE-së dhe ShBA-së që kanë divergjenca mes tyre për faktin se kë duhet të njohin si kryeqytet të shtetit të krijuar 70 vite më parë nga hebrenjtë.
Kosova e fitoi njohjen nga Izraeli falë takimit që u organizua nga Donald Trump në 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish-presidentit amerikan pjesë e së cilës ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike si dhe angazhimi i Prishtinës dhe Beogradit për ti spënë selitë e tyre diplomatike në qytetin e kontestuar të Jeruzalemit, i cili nuk pranohet si kryeqytet përpos SHBA dhe Guatemalës.
Hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, Departamenti i Shtetit Amerikan e përshëndeti edhe sot në Tëitter, duke shtuar se SHBA do t’i qëndrojë përkrah Kosovës përgjatë rrugëtimit euroatlantik.
LEXO EDHE KËTË
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për zyrtarizmin e marrëdhënieve diplomatike. Dje ishte një ditë historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy vendet. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme. SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian që vijon t’i mbajë ambasadat e të gjithë shteteve të anëtarësuara në Tel Aviv, e sheh veprimin e Kosovës si një devijim nga qëndrimet politike dhe linja që ndjek BE.
“Për BE-në çështja e Jerusalemit është diçka shumë, shumë e qartë kur bëhet fjalë për përfaqësimin diplomatik të shteteve anëtare. E theksoj se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë të vendosura në Tel Aviv, bazuar në vendimet përkatëse të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, si dhe përfundimet e Këshillit Evropian”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Nga Kosova ka pretendime së BE po i ushtron padrejtësisht trysni. Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Zërin e Amerikës se as vetë Bashkimi Evropian nuk është aq i unifikuar në qëndrimet e veta sa i takon politikës së jashtme. Ajo pretendon gjithashtu se ndaj Serbisë, BE është treguar më tolerant.
“E kemi parë se si Serbia nuk ka respektuar shumë vendime të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe nuk kemi parë një reagim të tillë. Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojë këtë moment për t’u thënë pesë shteteve anëtare që nuk ka nevojë që Serbia ta njoh Kosovën, në mënyrë që atë ta njoh një shtet tjetër që ende nuk e ka njohur, pra ta nxjerrë aspektin pozitiv duke parë vështirësitë nëpër të cilat Kosova është ndodhur për këtë hap dhe duke bërë unifikimin e politikës së vet të jashtme”, tha Krasniqi.
Përtej euforisë të një njohje të re që vjen pas një bllokimi të gjatë, duket se euforia që ka përfshirë Kosovën për vendosjen e mardhënieve diplomatike me Izraelin nuk do të kalojë pa telashe. Përpos Brukselit as Turqia dhe vendet Arabe që ende nuk e kanë njohur nuk janë të kënaquar me hapin e fundit që hodhi Prishtina.