Trailer Reunion premton një mister argëtues vrasjeje me Game Night, The Boys & Get Out
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Marrëveshja për Asociacionin është ligj
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave më shumicë serbe është ligj për Kosovën, ani pse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është shkelur Kushtetuta në 23 pika të saj.
“Marrëveshja e Asociacionit e vitit 2013 është diçka që është nënshkruar dhe ratifikuar nga shumica kushtetuese e Parlamentit, pra është një ligj i Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka thënë që Asociacioni nuk duhet të bëhet.
“Ekziston një obligim i përgjithshëm për krijimin e këtij Asociacioni sipas Marrëveshjes së arritur në vitin 2013. Ka qenë një marrëveshje pasuese në vitin 2015 e që ka specifikuar disa nga parimet në bazë të të cilave duhet të themelohet ky Asociacion dhe pikërisht kjo është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo asnjëherë nuk ka thënë që Asociacioni nuk duhet bërë por ka thënë që disa nga parimet me gjasë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës’, tha ai.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka theksuar se statuti i Asociacionit do të dërgohet prapë për rishikim në Gjykatën Kushtetuese.
“Ajo nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e vitit 2013, e që është obligimi i përgjithshëm i Kosovës për të themeluar Asociacionin. Së fundmi e kam rilexuar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, e që gjithashtu thotë se statuti i Asociacionit duhet të përpilohet dhe të dërgohet për rishikim në Gjykatën Kushtetuese. Pra, Gjykata Kushtetuese po e pret statutin në mënyrë që ta rishikojë atë”, tha ai.
“Prandaj, nëse lexohet ky informacion 34 faqësh që është dërguar nga Qeveria në Parlamentin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara do të shihni që ekziston një grup punues që duhet të draftojë statutin”, shtoi ai.
I pyetur nëse është e nevojshme që Kosovë duhet të formohet një Asociacion i cili do të quhej ‘Asociacioni i Komunave Serbe’, kur është asociacioni i të gjitha komunave, Szunyog tha që Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.