U ndërtuan në mes të askundit, shkencëtarët gjejnë ‘sekretin’ e Piramidave
Vdes një person në Deçan, i njëjti kishte kërkuar ndihmë mjekësore me dyshimet për helmim
Mbrëmjen e të hënës, ka ndërruar jetë një 55-vjeçar, me emrin Zenel Lokaj nga fshati Prejlep i Komunës së Deçanit. I njëjti, mësohet se një ditë më herët kishte kërkuar ndihmë mjekësore me dyshimet për helmim.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Personi është dërguar fillimisht në QKMF – Deçan, Policia është informuar për një person që nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore, Policia ka shku në atë lokacion bashkë me autoambulancën e më pas është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë. Rreth orës 21:00 jemi njoftuar se personi ka ndërru jetë. Këtë e ka konstatu ekipi mjekësor”, tha Rugova.
55-vjeçari gjatë ditës së diel, kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Deçanit me dyshimin për helmim.
Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, thotë se vdekja besohet të jetë pasojë e infarktit.
“Tash më njoftoi Policia se i njëjti ka pas infarkt. Dje ka marrë ndihmë mjekësore në Deçan, është anku për dhimbje barku, por nuk ka lidhje me helmim“, u shpreh ai.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
Dy – tri ditët e fundit, rreth 900 qytetarë të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të disa simptomave të helmimit.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte deklaruar se dyshimet janë që simptomat të kenë ardhur nga uji i pijes.
Ndërsa drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, mohoi se mund të ketë kontaminim eventual të ujit, sipas analizave dhe rezultateve të deritashme.
Ramadani ka thënë se janë marrë mostrat e analizimit të ujit të gjashtë fshatrave të Deçanit për të parë arsyet e ankesave të qytetarëve.
“Mostrat kanë rezultuar në kufijtë e së lejueshmes në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian”, tha ai teksa shtoi se duhet të priten analizat përfundimtare edhe për disa orë.