
Qeveria e Kosovës e shqetësuar me dhunën e përdorur gjatë protestës së PSD-së
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me pamjet e dhunshme në protestën e PSD-së kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës që nga 1 shtatori të paguhet taksë prej 5 eurosh për regjistrim të automjeteve.
“Ne besojmë në të drejtën për protestë demokratike sepse ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që kultivohet dhe garantohet në shoqëritë demokratike. E tillë është shoqëria jonë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës afirmon këtë të drejtë. Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate”, thuhet në një njoftim të qeverisë.
Sipas Qeverisë, Policia e Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, qetësinë publike dhe mbrojtjen e pronës, duke respektuar të drejtat e njeriut.
“Përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektoriati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin. Në qeverisjen demokratike nuk ka vend për dhunë nga askush”, përfundon njoftimi.